Cana: S’jam gati për trajner, por Kosovës do t’i thoja “po”

0

 

Ish-kapiteni flet edhe për ndeshjen e lamtumirës, e cila mund të zhvillohet në vjeshtë. Ndërkohë, mohon se lakmon presidencën e FSHF-së: “Nuk e kam menduar. Uroj që Tirana të mos bjerë”

Anton Cicani

Tashmë që ka më shumë kohë në dispozicion, pasi ka braktisur futbollin e luajtur, Lorik Cana ka më shumë mundësi që të flasë me fansat e tij në rrjetet sociale, duke përdorur modën më të re, atë të “Cam Live”, pra të lidhjes direkt me kamera. Në faqen e tij në facebook, ish-kapiteni i Shqipërisë i është përgjigjur shumë pyetjeve.

Karriera – “S’jam ende gati për t’u bërë trajner. Të marr liçencën njëherë dhe të kryej një rrugëtim timin, më pas sigurisht, kur të jetë momenti, dua të kthehem në futboll duke drejtuar nga stoli. Trajner i Shqipërisë? Është ende shumë herët për të folur mbi këtë mundësi”. Lorik Cana i ka idetë e qarta. Për momentin, ish-kapiteni i Shqipërisë është duke shijuar pushimin e tij si një prind dhe bashkëshort, teksa mes udhëtimeve të shumta, në fund të muajit ka lajmëruar se do të kalojë Oqeanin Atlantik, për të vizituar Amerikën dhe Nju Jorkun, në këtë rast. Sakaq, Shqipëria do të luajë në qershor në Izrael, në një ndeshje të rëndësishme, por ish-mbrojtësi gjakovar vështirë se do të jetë, pasi sipas asaj që thotë vetë ai, “miku im i fëmijërisë do të martohet në atë periudhë, ndaj nuk e di nëse do të jem në Izrael për Shqipërinë”. Sakaq, mohon kategorikisht se lakmon vendin e Armand Dukës, presidentit të Federatës, në një të ardhme: “Jo, jo. S’e kam menduar kurrë të marr presidencën e FSHF-së”. Por,nëse do t’I ofrohej roli i “scout”, pra zbuluesit të talenteve: “Pse jo, do të më pëlqente”.

Kosova – Cana është pyetur edhe për Kosovën dhe rritjen e kombëtares së Bunjakut, teksa beson se “fitorja e parë do të vijë shumë shpejt. Kanë një kombëtare mjaft të mirë. Në të ardhmen, kur të jem bërë trajner, nëse më kërkojnë, do të shkoja me dëshirë”.

Lamtumira – Nuk do të ketë më një rikthim në fushë, pasi tashmë ish-mbrojtësi ka vendosur se shëndeti është më i rëndësishëm, teksa shton dhe se ndeshja e lamtumirës mund të bëhet në vjeshtë: “Të shohim, por s’është e lehtë, pasi datat s’janë edhe aq tolerante për të organizuar gjithçka”.

Marseja – Duke folur për skuadrën ku është ndodhur më mirë dhe kush i ka transmetuar më shumë emocione, Lorik Cana s’ka pasur dyshime dhe nga aventurat e tij në katër shtete (Francë, Angli, Turqi dhe Itali) ka zgjedhur Olimpik Marsejën, ku edhe qëndroi pesë vjet dhe mbajti shiritin e kapitenit. Madje, për gjakovarin u përfol edhe për një rikthim në “Velodrome”, por vetëm si drejtues, pasi me futbollin e ka mbyllur tashmë.

Superliga – Cana është pyetur edhe në lidhje me dy ekipet e Superligës dhe kryeqytetit të Shqipërisë, pra Tiranën dhe Partizanin, që ndodhet në pozita krejt të kundërta, pasi njëra luan për mbijetesën, teksa tjetra për të fituar titullin. “Shpresoj që Tirana të mos bjerë, sepse është ekip që i takon Superligës. Shpresoj të qëndrojë sa më lart. Partizani kampion? Të shohim… Deri në fund. Ka humbur pak terren, por të presim”.

Këshillat – Sakaq, të rinjtë kanë  nevojë për këshilla dhe kush më shumë se sa ai mund ta dijë… “I them që të besojnë te ajo që duan dhe të bëjnë gjithçka për të realizuar ëndrrat”.

Lacio – Një duartrokitje edhe për sezonin e Lacios dhe faktin që ka fituar derbin ndaj Romës, përpara disa javësh: “Dihet, jam gjithmonë i lumtur sa herë që fiton Lacio. Me ata kam një trofe të fituar, Kupa e Italisë”.

Ronaldinjo – i pyetur se kush ka qenë shoku i skuadrës më i fortë me të cilin ka luajtur ndonjëherë, Cana s’ka pasur asnjë dyshim, por ka cituar brazilianin Ronaldinjo. Me “Gauçon” ka luajtur kur ishte te PSG-ja, shumë i ri.

Zvicra – Një tjetër temë ishte edhe kartoni i kuq i marrë ndaj Zvicrës, në Europian, ku Cana ka pranuar se e mori me vetëdije, edhe pse ka diskutuar mbi të verdhën: “E verdha e parë ishte e shmangshme, ndërsa e dyta ishte me vetëdije, sepse vendosa ta ndaloj topin me dorë në atë formë. Do të kishim qenë më mirë me 11-të, por ja që shkoi ashtu”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image