Cana “prezanton” Marsejë-PSG: I nderuar nga ftesa, nuk e prisja!

Anton Cicani

Lorik Cana do të udhëtojë këtë fundjavë në Francë, për të qenë ai që do të nisë topin e parë në super sfidën e kampionatit, Marsejë-PSG. Ish-kapiteni i Shqipërisë ka qenë gjithashtu futbollist i PSG-së dhe ai i Marsejës, në vitet e tij të para. Në fakt, ai ka ende shtëpi në Marsejë, ku luajti për katër sezone dhe mbajti shiritin.

Ndërsa, me PSG u rrit si futbollist, edhe përkrah një kampioni si Ronaldinjo. Loriku, që në Shqipëri-Itali i dha lamtumirën kombëtares dhe futbollit të luajtur, është ftuar nga dy klubet për të bërë të njëjtën gjë në ndeshjen e madhe. Në “Velodromë”, aty ku edhe me kombëtaren e Shqipërisë ishte, për fat të keq, në tribunë, pas të kuqit që mori ndaj Zvicrës. I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, teksa ndodhej në park me të birin e tij, Loriku u shpreh vërtet i habitur nga ftesa që mori: “Nuk e prisja, është nder i madh për mua të jem në atë sfidë dhe të përshëndetem me publikun. Vërtet më duhet t’i falënderoj. Pas Itali-Shqipëri, një tjetër kornizë e madhe”, tha ai për gazetën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *