Cana dhe lamtumira: Respekt maksimal për TKZ, por nuk e shtyj dot

Nga fusha te lamtumira… Po afron dita e madhe për Lorik Canën. Në “Loro Boriçi” do të vijë edhe ceremonia zyrtare. Ku pritet të ketë shumë tifozë, por jo më besnikët. “Tifozat Kuq e Zi” kanë kërkuar shtyrjen e lamtumirës, por në një intervistë për Sport Ekspres Cana shpjegon pse vendimi i tij nuk mund të shtyhet, ndërkohë që flet edhe për të ardhmen, ndër të tjera…

– Tifozët dhe lamtumira e deklaruar nga futbolli. Ajo ndaj Italisë pritet të jetë për ty ceremonia e varjes së këpucëve në gozhdë, por grupimi TKZ (Tifozat Kuq e Zi) ju ka bërë thirrje ta shtyni lamtumirën, pasi vijojnë bojkotin për ndeshjet brenda fushe. Përgjigjja juaj?

– Kam biseduar me Tifozat Kuq e Zi, pra anëtarët e kryesisë. Sqarova arsyet pse kjo ndeshje duhet të bëhet tani dhe pse nuk mund të shtyhet. Është thjesht afat kohor, sepse pastaj do të bëhet shumë vonë. Një lamtumirë e vonë nuk ka sens dhe kuptim. Vendimin e kemi marrë përpara një muaji dhe e bëmë publik, që lamtumira do të ishte me Italinë. Respektoj vendimin e tyre, për të vazhduar bojkotin. Sigurisht, dëshira ime është që ata të jenë aty, por kjo nuk bën problem, sepse vazhdoj i respektoj dhe të kem mirënjohje që ka qenë shembullore në gjithë këto vite. Respektoj dhe pozicionin e tyre dhe pakënaqësinë. Kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe duhet mirëkuptuar absolutisht.

– E ardhmja e Canës: në një kolltuk si drejtues apo në stol, pranë fushës?

– (Qesh) Nuk e shoh veten duke trajnuar, për momentin… Edhe pse kam marrë licencën UEFA.

– Si logjikë, sigurisht, çfarë do të pëlqente më shumë, drejtuesi?

– Sigurisht, me një projekt të rëndësishëm. E shoh më shumë veten në poltron se sa në fushë.

– Mund të marrim një shembull, që e njeh mjaft mirë, sepse të deshi te Lacio: Igli Tare. Po bën një punë fantastike prej vitesh si drejtues…

– Sigurisht, Igli mbetet një referim për të gjithë, pasi është drejtuesi i parë shqiptar kaq i suksesshëm në botë dhe u shpall edhe drejtori i vitit në Itali. Mbetet udhërrëfyes për ne.

– Maldini është transferuar në Amerikë, por tani, bashkë me Nestën, por ngrenë një klub futbolli, duke financuar, teksa të njëjtën gjë po bën Bekam. A do të pëlqente që të merrje një klub dhe ta ngrije, pse jo, qoftë edhe kosovar?

– Sigurisht, asnjëherë nuk i dihet. Me ndihmën e disa investitorëve, që duan të lidhen, mund të ndodhë. Nëse do të gjej njerëzit e duhur, që kanë dëshirë të investojnë, pse jo.

– Përtej Oqeanit ke shkuar me pushime, por realisht sa do të kishe dashur që të luaje në MLS, pra kampionatin e futbollit në SHBA, si shumë yje dhe kampionë?

– E kam pasur në plan, por mes dëshirës dhe mundësive ka diferencë të madhe dhe disa herë nuk arrin që të realizosh planet. Nuk arrita deri aty, përpos preferencave. Gjithsesi, mund ta provoj edhe si rol drejtuesi, pse jo?!

– Të mungonte familja dhe tani që je i lirë dhe pa impenjime, si të duket?

– Më mungonte jashtëzakonisht shumë. Shijoj shumë kohën me djalin, sidomos pas Europianit, që kam qenë gjithë kohës me të. Ky ishte fat për mua, sepse kam mundësi të takoj njerëzit e mi dhe të merrem me projektet e tjera, të cilat kur je futbollist nuk i ndjek dot. Si fondacioni, por edhe për të takuar njerëz që janë në Kosovë.

SPANJA DHE ITALIA

– Kombëtarja do të luajë dy sfida prestigjioze ndaj dy kombëtaresh që kanë fituar kupa bote, si Spanja dhe Italia. Do t’i ndjekësh ndeshjet, kjo është e sigurt, por sa do të kishe dashur që të ishe në fushë?

– Normalisht që do t’i ndjek ndeshjet, sidomos sepse tani në këtë pozitë, bën tifozin dhe ndjen ende emocione si në fushë. Sidomos pasi i njoh personalisht ata djem. Disa ndeshje i kamë ndjekur në stadium, të tjera nga televizori. Patjetër që do të vazhdoj t’i ndjek dhe do të jem tifozi numër “1” i kombëtares. Duke qenë dy ndeshje të bukura këto, uroj ta mbyllim edicionin sa më mirë. Tani sa i përket faktit sa do të doja të luaja, praktikisht dihet dëshira e madhe.

– Nëse do të jepej mundësia të zgjidhje vetëm një ndeshje, kundër Spanjës apo Italisë do të kishe dashur të ishe në fushë?

– Nuk është e lehtë të zgjedh, por ndoshta kundër Spanjës, pasi nuk kam luajtur asnjëherë kundër tyre…

– Ndoshta sepse edhe në Primera Division nuk ke luajtur asnjëherë?

– Po, e vërtetë, por sidoqoftë me Italinë jam përballur në miqësore. Me Spanjën s’kam pasur rast. Ndaj, do të doja të isha në Alikante.

– Duke u ndalur në aspektin teknik të ndeshjes dhe duke llogaritur mungesat që do të kemi, sa për qind shanse kemi në këto 180 minuta, që të dalim me pikë?

– Sinqerisht janë dy ndeshje besoj komplet të ndryshme. Me Spanjën, përballemi me ekipin më të fortë të grupit, që e ka dëshmuar këtë gjë. Me të gjitha gjasat do të kryesojë grupin. Dhe, sidomos do të përballemi në fushën e tyre, me një nga përfaqësueset më të mira në botë, pavarësisht se në vitet e fundit nuk ka fituar si më parë. Niveli, megjithatë, është shumë i lartë.

– Por po kalon probleme të brendshme, si Katalunja…

– E vërtetë, por nuk do të ndikojë në nivelin e spanjollëve. Për ne do të jetë e vështirë… Por…

– Por?

– Mund të bëjmë mirë. Nëse mbrohemi ashtu si duhet dhe godasim në episodet që mund të kemi në favor, pse jo, të dalim me pikë. Sa i përket Italisë, nuk është në nivelet më të larta dhe jo si Spanja, por sidomos brenda shtëpisë tonë kemi treguar se jemi përballur edhe me skuadra më të forta se Italia e sotme, e theksoj. Me ndihmën e tifozëve, mund edhe të fitojmë këtë ndeshje.

– Cilin nga lojtarët e kombëtares A sheh si lider, pra pasardhësin tënd?

– Nuk mund të përgjigjem (qesh).

– Nuk e veçon dot grupin?

– Jo…

– Të ndalemi pak te kjo Shqipëri. E ke ndjekur në disa ndeshje më pas dhe pas Europianit u duk qartë sikur entuziazmi ra pak dhe grupi sikur u vetëkënaq. Tani mendon se kjo kombëtare mund të ringrihet edhe njëherë dhe të synojë Europianin 2020?

– Këtë mundësi e ka dhe ka futbollistë që kanë fituar përvojë në këto vitet e fundit, nisur nga arritja dhe kualifikimi në Europian. Besoj që disa lojtarë kanë arritur pjekuri dhe skuadra ka mundësi për të pretenduar për kualifikimin në Euro 2020. Do të shihet grupi, por cilësia brenda skuadrës nuk mungon. Duhet një Shqipëri në nivelet e saj më të mira. Dëshira nuk duhet të jetë më e vogël nga ajo që kemi pasur më herët. Pas një periudhe të vështirë, ekipi ka reaguar shumë mirë dhe uroj ta mbyllë mirë. Pavarësisht rezultatit. Do të kisha dëshirë që të shihja Shqipërinë të barazonte ose fitonte në Spanjë, pasi do të ishte idealja, por kjo është nisja e një projekti të ri me një trajner të ri dhe përballja e parë shumë e fortë, ndërsa me Italinë duhet të tregojmë ambiciet tona, edhe pse janë më të fortë se ne. Duhet të kemi dëshirën e madhe të marrim 3 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *