Calja: Kampion dola nga një gjeorgjian

Briken Calja ka nderuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, por sa e nderon Shqipëria atë? Deklarata e tij është shumë e rëndë: Nuk kishim fizioterapist me vete

Fantastik, i mrekullueshëm, hero kombëtar, rekord, historik, e plot epitete të tjera janë shpenzuar pa kriter për Briken Caljen që para dy ditësh, kur shpalosi flamurin shqiptar në Europianin e Bukureshtit, duke sjellë tre medalje të arta në Shqipëri. Peshëngritësi i njohur, megjithatë, ka disa pengje dhe nxjerr të palarat e peshëngritjes shqiptare, por edhe të gjithë sportit shqiptar. Në një intervistë për “RTSH Sport”, Calja ka rrëfyer se ky triumf ka ardhur vetëm falë ndihmës së një fizioterapisti gjeorgjian, i cili riktheu peshëngritësin shqiptar në garë, pavarësisht dëmtimit të rëndë që pësoi në garë.

DEKLARATA – “Unë kam bërë dy teste përpara se të shkoja në Rumani, njëra ka qenë përpara 10 ditëve. Për këtë kam garanci të plotë pasi nuk mund të luajë me jetën dhe gjakun tim. Ne nuk duhet të gjykojmë gjithë fisin, për shkak se dikush i afërt ka vrarë dikë. Sportistët janë kapur me doping pas triumfeve të arritura, më tepër për mungesë informacioni, sigurisht, këtu po flas për një pjesë të tyre. U bënë shumë javë stërvitje përgatitje dhe ia kam dalë bashkë me stafin tim. E kam deklaruar përpara pak ditëve që do të vi me medalje në Shqipëri dhe kam qenë i përgatitur për çdo skenar. Për shkak të bllokimeve që kam pasur gjatë garës, ku më ka kapur mesi, kofsha dhe supi, më duhej patjetër ndihma e fizioterapistit të cilin ne nuk e kishim në Rumani. Atje më është gjendur një fizioterapist që kishte ardhur nga Gjeorgjia, që bëri të mundur që unë të rikthehem për të marrë medaljen e arit edhe në stilin e shtytjes, pasi në të kundërt do e kisha të pamundur”.

40 MILIONË SHPËRBLIMI, POR PA MJEK – Briken Calja, sapo të vijnë përgjigjet e kontrolleve antidoping, do të shpërblehet me 40 milionë lek nga shteti shqiptar. Shumë e konsiderueshme, por që mund të ishte edhe më e madhe dhe mbi të gjitha, shteti mund ta ndihmonte sportin e peshëngritjes me ndonjë gjë tjetër po aq të rëndësishme, si për shembull ambiente stërvitore moderne, apo edhe një mjek. Këtë nuk e kanë peshëngritësit tanë, ndaj edhe kanë probleme pa fund dhe nuk dinë çfarë të konsumojnë e çfarë ilaçesh të përdorin kur kanë qoftë edhe ndonjë rrufë. E turpshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *