“California Dream”, Hyka në USA për 1.5 milionë dollarë

0

Rreth 200 mijë shqiptarë aplikojnë çdo vit për lotarinë amerikane, ndërkohë që San Hoze është i gatshëm t’i paguajë 200 mijë dollarë Lucernës për të pasur në skuadër Jahmir Hykën. Në Zvicër për momentin temperaturat janë diçka te minus 10, ndërsa në Kaliforni plus 20 gradë celsius. Para dhe diell, futboll dhe joshje për të ardhmen. Praktikisht kontrata e jetës. 29 vjeç, në tri vitet e ardhshme do përftojë 1 milionë e gjysmë dollarë, do ketë në dorë një ‘green card’ dhe do shijojë një kontinent i tëri për t’u eksploruar. Pas Salihit dhe Gashit, ky është shqiptari i tretë që në statusin e tij në Facebook brenda disa orësh do shkruajë: “Yes, i can”.

Tratativat kanë nisur në fillim të dhjetorit. Drejtori sportiv dhe trajneri i San Hozesë kanë insistuar ta kenë të tyrin. Duke qenë se në Lucernë kontrata i mbaron në qershor pretendimet financiare të zviceranëve nuk janë të larta. Pas 6 sezonesh në skuadër ata kanë ndër mend ta lëshojnë shqiptarin për 200 mijë dollarë. Ofertat gjatë kësaj kohe nuk munguar. Hungaria, Kina dhe sidomos Turqia kishin oferta konkrete që shkonin deri në 700 mijë dollar në vit. Por, si thuhet në të tilla raste, Amerika është tjetër gjë. Disa arsye e kanë bindur Hykën të thonë PO. E para është e ardhmja: 3 vite në USA dhe ‘green card’. Përveç futbollit dhe parave njeriu, mendon dhe për jetën. Me pasaportë amerikane do ketë të drejtë të luajë ndoshta futboll në Europë si ekstrakomunitar. Gjatë gjithë këtyre viteve në Zvicër gjithnjë ka luajtur dhe ka paguar taksa si “një i huaj”. E dyta, korrektësia financiare, buja e futbollit në kontinentin tjetër dhe mbi të gjitha insistimi i trajnerit dhe drejtorit sportiv. Në parim ka rënë dakord që në 21 dhjetor. Në Amerikë do luajë tre sezone dhe do marrë 500 mijë dollarë në vit përfshi dhe bonueset. Lucerna do shkojë në Spanjë në fazë përgatitore në 13 janar, ndërsa Hyka nuk do udhëtojë me skuadrën. Nëse nuk ndodh ndonjë çudi dhe Lucerna e prish marrëveshjen në minutë të fundit, ai shkon në Amerikë në 1 korrik, por me siguri kjo nuk do ndodhë sepse kjo do të thotë që Lucerna të humbasë financiarisht, pasi lojtari në verë del i lirë.

Skuadra ku do shkojë është në Konferencën e Perëndimit. Në sezonin e shkuar ka dalë në vend të tetë, ndërsa këtë vit pretendimet janë më të mëdha. Në të njëjtën konferencë luan dhe skuadra e Gashit dhe praktikisht derbi që gjendej në Zvicër do zhvendoset në USA, të paktën 3 përballje në vit.

Vetë Hyka është shumë i kënaqur. Karriera që nisi me një dëmtim të madh kur ishte 15 vjeç, aq sa gjithkush dhe ai vetë nuk besonte më se do luante futboll u shndërrua në një ëndërr të madhe e cila mesa duket përfundoi si ajo e shumë shqiptarëve të tjerë ndër vite. Në Amerikë!

Në të shkuarën ka luajtur në Olimpiakos, Mainc, Panionos, Tirana dhe Lucernë. Karrierë e pasur, me të vetmin peng: mosgrumbullim në Europianin e Francës.

Dje pasdite Hyka ka njoftuar palët. Të parin ka telefonuar De Biazin. Raporti i tyre, sidomos njerëzor, në këto eliminatore është perfekt dhe sido që të jetë trajnerin e përfaqësueses duhet ta informosh qoftë dhe për t’u këshilluar. Më pas, trajnerin në Lucernë dhe miqtë e afërt. Një biletë për në Tiranë, një vizë në ambasadë dhe drejt Amerikës me një top ndër këmbë. Ka ardhur moment të driblojë dhe jashtë këtij kontinenti. Super goditje, goditja e jetës!

Gjergji Stefa

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.