Byzhyti: S’ishte momenti për të ndërruar trajner

Mbrojtësi me eksperiencë i Lushnjës mendon se ecuria negative e skuadrës ka ardhur për shkak të kushteve të këqija stërvitore, pa shmangur përgjegjësitë e lojtarëve 

Arjan Likja

Nga ana e Bashkisë së Lushnjës po mbahet ende pezull çështja e  trajnerit të verdhejeshilëve, pas dorëheqjes së Banos. E gjithë  vëmendja e opinionit futbolldashës është e drejtuar te ndeshja e radhës e në kampionat, por më parë duhet ditur se kish do ta drejtojë Lushnjën ndaj Teutës në “Roza Haxhiu”. Ekipi po vazhdon stërvitjen nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Dritan Çuko. Të martën kishte mungesa për probleme shëndetësore, siç janë ato të Maganit, Byzhytit dhe Papës. Alban Byzhyti i është rikthyer stërvitjes dje dhe në një intervistë për “Sport Ekspres” ka theksuar se nuk ishte ky momenti për të ndërruar trajner. Sipas tij, përgjegjësi kanë lojtarët për rezultatet e dobëta, por edhe kushte e vështira të stërvitjes.

– Byzhyti, si e komentoni dorëheqjen e trajnerit Bano pas ndeshjes me Laçin?

– Dorëheqja është një vendim personali i trajnerit tonë, kështu që nuk më takon mua të analizoj. Mund të them vetëm se  profesionalisht ky moment nuk është aspak i përshtatshëm për ndërrimin e trajnerit. Ajo që më bën më shumë përshtypje është fakti se pas dorëheqjes së trajnerit nuk ka ardhur asnjë zyrtar të kontaktojë me futbollistët që ne të dimë se ç’do të bëhet për më tej. Këtë e kërkoj më shumë në aspektin psikologjik, pasi dihet që kampionati vazhdon dhe kemi përpara një ndeshje të vështirë me Teutën.

– 7 javë kampionat dhe Lushnja ka marrë vetëm 2 pikë. Vendi i fundit ndoshta e ka detyruar Banon të japë dorëheqjen…

– Askush nga ne nuk e dëshiron këtë ecuri negative. Por nëse mund të flasim për marrje përgjegjësish, trajneri ynë duhet të renditet i fundit. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë nisje të dobët të kampionatit. Kushtet ku jemi stërvitur, ose më saktë mungesa e një fushe stërvitore për të përgatitur ndeshjet e kampionatit, ka qenë problemi kryesor për ne. Po ashtu, edhe merkatoja e cunguar ka dhënë efekt negativ. Një ekipi që nuk i plotësohen kushtet minimale në aspektin stërvitor, nuk mund t’i arrijë rezultatet me shkopin magjik. Këto nuk i them për justifikim, por ky është një realitet që tifozët tanë e shohin përditë. Nuk mund të anashkaloj gabimet tona, ashtu si dhe marrjen e përgjegjësive. Në situata të caktuara duhej ta kishim interpretuar më mirë lojën.

– Kampionati vazhdon dhe ju të shtunën prisni Teutën në stadiumin “Roza Haxhiu”. Çfarë parashikoni?

– Ky është shqetësimi që shpreha më lart. Jemi në një situatë  kritike, ku lëvizja e trajnerit do të krijonte një çoroditje të madhe psikologjike për ndeshjen e radhës. Aq më tepër kur na duhet fitorja me çdo çmim. Edhe Teuta ka pasur një ecuri jo të kënaqshme në këto javët e fundit, por nuk është marrë me trajnerin apo futbollistët, ndërkohë që kushtet financiare dhe ato stërvitore durrsakët i kanë shumë më komode se Lushnja. Jemi futbollistë profesionistë dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë takim, pavarësisht se kush do të jetë trajneri ynë. Prandaj po japim maksimumin në stërvitje, duke u munduar me sforcim të madh për të shmangur situatën aktuale. Shpresoj shumë që drejtuesit tanë të reflektojnë për zgjidhjen e këtij ngërçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *