Bytyçi: I rezistuam garës së pandershme, Bylisi gati për Superioren

0

Mario Bytyçi pati një moment që u shkëput nga futbolli i luajtur, por fillimisht Erzeni dhe më pas Bylisi e bënë që të vijojë karrierën. Portieri pogradecar është titullar te ballshiotët, madje veç pritjeve vendimtare, ai edhe po shënon gola. Bytyçi, tashmë 34 vjeç, ka realizuar tre herë në kampionat dhe në kupë ndaj Laçit. Sigurisht përmes penalltive.

Në një prononcim të dhënë për SportEkspres.com, Bytyçi thekson se rivalët nuk kanë zhvilluar garë të ndershme ndaj tyre. Ai beson se janë të denjë për Superioren dhe rikthimi në elitë është më se e merituar.

“Bylisi ka qenë skuadra më e përgatitur në Grupin B, si edhe i denjë për të qenë në Superiore. Edhe pse ndaj nesh është zhvilluar një garë jo e ndershme nga rivalët, kemi treguar në fushën e lojës me seriozitet e profesionalizëm se e meritojmë ngjitjen në elitë. Tashmë kjo është fakt, çfarëdo vendimi që të dalë pas ndeshjes së fundit mes nesh e Besës në Kavajë”, deklaroi Bytyçi fillimisht.

Bylisi ka në përbërje shumë elementë të rinj dhe portieri “veteran” ndihet mirë mes tyre. “Unë ndjehem shumë mirë në katërkëndorin e Bylisit, sepse të gjithë të rinjtë janë shumë profesionistë në fushë dhe jashtë saj”, shton “gardiani” i ballshiotëve.

Superiorja sigurisht që kërkon nivel, ndaj edhe drejtuesit e Bylisit do të bëjnë përforcime gjatë merakos së verës. Bytyçi, si një njohës i mirë i kampionatit dhe futbollit, mendon se baza e skuadrës është edhe për sezonin tjetër. “Mendoj se duhen edhe 2-3 përforcime të vogla për Superioren. Boshti i skuadrës aktualisht është i plotësuar”, përfundoi lideri i Bylisit.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.