Bylisi zyrtarizon tre afrime, projektohen 5 goditje “bombë”

0

 

Zylyftari firmos për katër sezone, Toçi për tre dhe Gava për dy, sot prezantohen. Ndërkohë që shumë shpejt priten afrime të lojtarëve që bëjnë diferencën dhe prezantimi i trajnerit Dede

 

Bylisi vazhdon që të afrojë lojtarë nga Superliga. Ashtu siç edhe pat paralajmëruar gazeta “Sport Ekspres” në numrin e djeshëm elbasanasit Orgest Gava dhe Mateos Toçi zyrtarisht janë bërë pjesë e ballshiotëve madje kanë nënshkruar edhe kontratat.

Kështu, Mateos Toçi për tre vite do të jetë pjesë e mallakastriotëve kurse shtatlarti Orgest Gava ka firmosur për dy vite. Të dy elbasanasit luajnë në mesfushë dhe kanë eksperiencë në Superligë me skuadrën verdheblu por kanë qenë edhe titullarë me ekipin Shpresa U-21.

Të dy kanë qenë në objektivin e merkatos së dy skuadrave të Superligës, Teuta dhe Tërbuni, por duket se ballshiotët i kanë bërë për vete, duke i joshur dhe duke bërë ofertën më bindëse.

Kuçovari Zylyftari – Ervis Zylyftari sulmuesi kuçovar, i cili ka qenë edhe një golashënues gjatë sezonit të shkuar në Kategorinë e Parë ka arritur që të firmosë për katër sezone tek Bylisi. Zylyftari ka dalë nga shkolla kuçovare e futbollit dhe shihet si një lojtar me perspektivë tek ballshiotët. Të tre lojtarët sot do të prezantohen nga drejtuesit e klubit ballshiot, siç ndodhi edhe me Ardit Peposhin pak ditë më parë.

Merkato – Klubi i Bylisit bën me dije se do të ketë pesë afrime madje bëhet fjalë për lojtarë të njohur të Superligës si dhe të huaj shumë cilësorë. Nga sa bëhet e ditur bisedimet janë duke përparuar dhe klubi do të bëjë zyrtarisht afrimin e tyre brenda kësaj jave.

Trajneri – Nevil Dede pritet që shumë shpejt të vi dhe të prezantohet në Ballsh. Skuadra ka arritur që të hyjë në fazën intensive të përgatitjeve ndërkohë që trajneri Dede pritet të shohë lojtarët në fazën përgatitore dhe të vendosë për ata që do të mbajë si pjesë të skuadrës që do të përfaqësohet në Superligë.

 

Klubi sqaron

 

“Respekt për Canajn,

s’e kemi kontaktuar”

 

Klubi i Bylisit ka reaguar në lidhje me atë që është folur në media për kontakte me trajnerin Agim Canaj. “Ne e respektojmë, është një trajner shumë punëtor dhe që ka dhënë shumë në Ballsh. E respektojmë si personalitet dhe trajner me eksperiencë, por nuk e kemi kontaktuar, madje ne jemi drejt zyrtarizimit të trajnerit, të cilit do t’i besojmë skuadrën në sezonin e ardhshëm. Ne kemi qenë të hapur dhe transparent madje dhe për spanjollin Rubio ne jemi shprehur publikisht pak javë më parë se nuk ka pasur asnjë interesim pavarësisht respektit për punën që ka bërë në vendin tonë”, ka qenë reagimi i klubit të Bylisit në lidhje me afrimin e përfolur të Agim Canajt.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.