Bylisi s’ndalet as në miqësore, Flamurtari vuan në sulm!

0

Erjon Saliu

Bylisi dhe Flamurtari,kanë zhvilluar një miqësore, duke përfituar edhe nga pushimi që kanë të dyja ekipet e cila ka argëtuar të pranishmit. Lojë e bukur, ku nuk ka munguar edhe spektakli, për të dyja ekipet, ndërsa treshja nigeriane e mallakastriotëve, Ntephe, Çukuka dhe Izuçuku, por edhe Dosti kanë qenë ndër futbollistët që kanë spikatur në testin e djeshëm. Ballshiotët zgjodhën kuqezinjtë vlonjatë për të matur forcat, edhe pse duhet theksuar se trajneri i tyre, Artan Mërgjyshi, dje nuk ka aktivizuar edhe disa nga kualitetet e skuadrës siç janë: Shoshi, Hyshmeri, Mitraj e Raboshta që mbajnë edhe një “peshë” kryesore te mallakastriotët. Për t’u evidentuar fakti se të dy trajnerët, kanë preferuar që nga fillimi të aktivizojnë formacione “mikse”.

PJESA E PARË – Ka qenë në tërësi, një pjesë e parë e vakët nga të dyja skuadrat, të cilat më shumë janë përpjekur që të kontrollojnë lojën dhe të qarkullojnë topin. Por, sulmuesit e të dy ekipeve kanë qenë larg golit dhe më shumë kanë bërë kombinacione edhe për t’i shërbyer kërkesave të të dy trajnerëve. Pjesa e parë është mbyllur 0-0.

PJESA E DYTË – Në pjesën e dytë, ka një rast të bukur për skuadrën vlonjate, ku në të 65-tën minutë Shkodra shtylla ndal topin. Në të 73-tën minutë, në një zbritje Dosti, pas një asist perfekt të Kolgegës, gjuan saktë, duke mashtruar edhe Frashërin dhe shënon duke kaluar Bylisin në avantazh. Në të 82-tën minutë, është Kolgegaj që tenton sërish golin, por ka gjuajtur jashtë mesfushori i ballshiotëve. Më pas loja nuk ka më histori. Mbyllet me fitoren e Bylisit, me rezultatin 1-0.

Bylis – Flamurtari         1-0

Shënues: Dosti 73’

Bylis: Rizvani, Prifti, Nako, Hoxhaj, Kuçi, Gava, Ntephe, Çukuka, Dosti, Izuçuku, Prendi. Trajner: A. Mërgjyshi.  (U aktivizuan: Dramolli, Ereqi, Muçaj, Kolgegaj, P. Fejzaj, K. Fejzaj,  L. Metaj, Bilali, Sinaj)

Flamurtari: Halilaj, Kuqi, Mauricio Leal, Beqaj, Mersini, Hyseni, Llambro, Lineker, Rniç, Dushku, Bushiç. Trajner: Sh. Duro. (U aktivizuan: Frashëri, Veliu, Telushi, Jakovljeviç, Fazlliu, Neziraj, Shkodra, Ar.Shehaj etj)

Gjyqtarë: M. Troka (Fier)

 

Drejtuesit

Presidenti i ballshiotëve, Kapllanaj, e ka ndjekur ndeshjen në tribunën “VIP”, së bashku edhe me pjesëtarë të tjerë të stafit dhe bordit të Bylisit. Në krah të tyre, kanë qëndruar edhe presidenti i  vlonjatëve, Sinan Idrizi, i cili shoqërohej edhe nga ish-futbollisti i spikatur vlonjat dhe i Kombëtares, Vasil Ruci. Në fund janë ndarë me shtrëngim duarsh, çka tregon edhe marrëdhëniet e mira mes dy klubeve.

 

Mërgjyshi: Miqësore si ndeshje zyrtare, loja më kënaqi

Pas ndeshjes së djeshme, ka folur edhe trajneri i ballshiotëve, Artan Mërgjyshi, i cili ka ngelur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por sidomos lojën që kanë zhvilluar futbollistët e tij. “Ishte një miqësore që na shërben për të qenë të karikuar. Po përmirësojmë lojën dhe karakteristikat fizike. Skuadra ishte e shpejtë dhe agresive. Mora sinjale pozitive, të gjithë lojtarët që u aktivizuan treguan se kanë dëshirë, kanë grinte dhe kanë shumë për të treguar. Luajtëm jo pa qëllim ndaj një skuadre me traditë dhe me kualitete Superlige e megjithatë ishte një test, njësoj i ndeshjet zyrtaret që ne kemi. Kemi punë dhe do të vazhdojmë që të punojmë për qëllimin e përbashkët që është Superliga”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here