Bylisi nis merkaton, afrimi i parë është një mbrojtës

Ka ardhur momenti për të provuar Superioren. Mbrojtësi Ilias Kasapis pritet t’i bashkohet skuadrës së Bylisit në ditët në vazhdim. Futbollisti 24-vjeçar, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Burrelit, ka tentuar dhe më parë të bëhet pjesë e ekipeve të elitës.

Kukësi, Kastrioti dhe Vllaznia kanë qenë skuadrat me të cilat ai ka tentuar të luajë. Pas eksperiencës me Burrelin, ku luajti pjesën e dytë të sezonit, në Ballsh janë bindur t’i japin një mundësi Kasapis. Ballshiotët gjatë kësaj periudhe nuk kanë qenë aktivë në merkato, por duket se kanë nisur të lëvizin.

Trajneri Veljko Dovedan e ka thënë hapur se bazën e ekipit e ka, por sigurisht që është e nevojshme të bëhen edhe 3-4 ndërhyrje. Drejtuesit e dinë mirë se skuadra ka nevojë edhe për ndonjë element cilësor, me eksperiencë, që të ndihmojë skuadrën të marrë rezultatet dhe të rinjtë të rriten.

Fillimi i muajit korrik pritet të sjellë zhvillime dhe presidenti Besnik Kapllanaj është nga ata që nuk kursehet, ndërkohë që duhet thënë se edhe me prurjet nga jashtë shpesh ka qëlluar. Mbetet për t’u parë se si do të operojë këtë herë në merkato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *