Bylisi ndalet sërish, Tomori mallkon traversën

Në Kuçovë u luajt ndeshja hapëse e javës së pestë në Kategorinë e Parë, me Tomorin që vazhdon të mos luajë në fushën e vet, për shkak të shtrimit të fushës së re.

Tomori priste Bylisin, në një sfidë ku secila palë kërkonte fitoren, por miqtë ishin favoritë në teori, duke parë edhe problemet e Tomorit kohët e fundit.

Megjithatë, në fushë rezultoi ndryshe, sepse Tomori luajti mjaft mirë, krijoi lojë e raste dhe nuk kishte as fatin me vete. Bylisi mbeti me 10 lojtarë prej minutës së 66-të, kur braziliani Luiz Henrike doli me karton të kuq, ndërsa në fund Tomori ishte vërtet i pafat. Sulmuesi afrikan Onu i shkoi shumë pranë golit në dy raste, me goditje të shkëlqyera që përfunduan së pari pak mbi traversë dhe më pas, në sekondat mbyllëse, në traversë.

Një hap i gabuar për Bylisin, që mund të humbasë sërish terren ndaj Tiranës kryesuese, e cila zor se gabon nesër ndaj Turbinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *