Bylisi apo Flamurtari? Hoxhaj nuk tundohet nga Superiorja

Mbrojtësi 22-vjeçar, Nertil Hoxhaj, e mbylli sezonin tek Elbasani, por këto ditë pa aktivitet zyrtar nuk kanë qenë të “qeta” për ballshiotin. Kjo për shkak se për të kanë treguar interes dy skuadra në Kategorinë Superiore, edhe pse ai dëshiron më shumë Kategorinë e Parë.

Zërat e merkatos e çojnë në Ballsh, një rikthim te skuadra me të cilën luajti dy sezone, por edhe te Flamurtari. Vetë Hoxhaj nuk konfirmon asnjë skuadër, por për SportEkspres.com ai e pranon që është kontaktuar nga dy skuadra të Superiores.

“Kam kaluar një sezon shumë të bukur me Elbasanin dhe nëse zgjidhet situata me anglezët ia vlen të qëndroj aty. Pritet të hyjnë biznesmenë të fuqishëm dhe pas zgjidhjes së gjyqit situata do ndryshojë për mirë. Gjithsesi, mua më kanë kontaktuar drejtues të dy skuadrave të Kategorisë Superiore, por nuk kam asnjë akord me ta. Menaxheri im po merret me këto oferta. Një projekt ambicioz në Kategorinë e Parë do ishte më i mundshmi”, u shpreh Hoxhaj.

Nëse është Bylisi skuadra që e ka kërkuar, apo Flamurtari, Hoxhaj as pohon e as mohon. “Besoj se para datës 15 qershor do përcaktohet skuadra ku do të luaj në sezonin tjetër. Sot për sot po stërvitem individualisht dhe javën e ardhshme pres që gjërat të marrin rrugë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *