Bushiç: Me pak fat, edhe Skënderbeun mund ta kalojmë

Kapiteni i Flamurtarit: Jemi përforcuar dhe tani mund të luajmë më mirë. Shohim lart dhe besoj se do të shënojmë më shumë gola

Me lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit, të gjithë në kampin vlonjat, duke nisur nga trajneri Shpëtim Duro, janë të bindur se Flamurtari do të jetë më kompetitiv dhe më efikas në lojë. E shpreh këtë bindje edhe sulmuesi Tomisllav Bushiç, i rikthyer nga dëmtimi që e mbajti larg ekipit për disa javë. Në një prononcim nga Turqia për “RTSH Sport”, kapiteni i Flamurtarit, kroati Tomisllav Bushiç, sfidon edhe Skënderbeun në gjysmën e dytë të kampionatit. Sipas sulmuesit kroat të skuadrës vlonjate, me pak fat mund të arrihet edhe ekipi kryesues i Superiores pas 16 javëve të para të kampionatit. Pasi foli për aspektin personal, Bushiç ka dhënë edhe paralajmërimin për korçarët:

“Tani jam mirë fizikisht. Dëmtimi ka kaluar dhe tani po punoj mirë në stërvitje dhe në ndeshje, si të gjithë lojtarët e tjerë. Flamurtari ka afruar tre-katër lojtarë shumë të mirë në merkaton e dimrit dhe mendoj se e kanë përforcuar shumë ekipin. Kam besim se Flamurtari do të shkojë lart në tabelën e renditjes. Jemi në vendin e dytë, por mund të bëjmë më shumë. Le t’i shohim gjërat ndeshje pas ndeshjeje. Flamurtari luan si i barabartë me Kukësin, por mendoj se mund të rivalizojë edhe me Skënderbeun. Me pak fat mund t’ia dalim, nëse Skënderbeu bën një humbje, ne afrohemi 6 pikë dhe pastaj nuk i dihet. Avash-avash do të ecim përpara”, – thekson Bushiç duke qeshur.

LOJA-GOLAT – Shënuesi më i mirë i skuadrës vlonjate gjykon se tani edhe loja do të ndryshojë dhe se sulmi do të jetë më produktiv: “Kam mendimin se tani do të luajmë më mirë, do të luajmë me topin poshtë. Jo më me pasimin e gjatë. Kemi lojtarë më teknikë në ekip dhe Flamurtari do të luajë me mirë në vazhdim të kampionatit. Patjetër që edhe gola do të shënojmë më shumë me mënyrën e re të lojës”, – theksoi në fund sulmuesi kryesor i Flamurtarit, që këtë sezon mban edhe shiritin e kapitenit në krah.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *