Bushiç kthehet te Flamurtari: E treta, e vërteta në Vlorë!

Elton Nika

Useini dhe Musta ishin lëvizjet e para në kampin vlonjat sa i përket organizimit të Flamurtarit të sezonit të ri. Dhe duket se gjërat kanë filluar të lëvizin në kampin kuqezi, edhe pse ende nuk është mbyllur çështja kryesore, ajo e trajnerit. Një tjetër emër, që është drejt konfirmimit si pjesë e skuadrës vlonjate, është sulmuesi Tomislav Bushiç.

Kroati duket se do të jetë edhe një tjetër sezon në Vlorë, me fanellën e Flamurtarit. Bushiç, i cili mbajti shiritin e kapitenit sezonin e kaluar, është kontaktuar sërish nga drejtuesit e klubit dhe ka rënë dakord. E është shprehur gjithmonë se dëshironte të vazhdonte me Flamurtarin, por pas ndeshjes së fundit u dërgoi shokëve të skuadrës një mesazh falënderimi, që nënkuptonte lamtumirën. Megjithatë, situata ka rrjedhur ndryshe dhe bashkëpunimi duhet se do të vazhdojë, siç pohon edhe vetë sulmuesi në intervistën e mëposhtme për “Sport Ekspres”.

– Bushiç, po vazhdoni ende pushimet, por gjërat duket se kanë ndryshuar sa i përket të ardhmes tuaj, apo jo?

– Jam me pushime në vendlindjen time, por është e vërtetë se gjërat kanë ndryshuar. Kam marrë kontakte nga drejtuesit e Flamurtarit, të cilët më kanë kërkuar të vijojmë bashkëpunimin. Patjetër që përgjigja ime ka qenë pozitive. Ky është lajmi i mirë i këtyre ditëve të fundit. Ju e dini që unë e kam shprehur gjithmonë dëshirën time të vazhdoj në Vlorë.

– Pra, edhe për një sezon tjetër do të jeni kuqezi?

– Po, po. Thjesht kur të vij në Vlorë të zyrtarizojmë gjithçka. Kemi një akord dhe edhe sezonin tjetër do të jem pjesë e Flamurtarit. Një skuadër që e dua, ashtu si qytetin. Kur përfundoi kampionati, kam thënë se ishte dëshira të vijoja dhe të luaja me fanellën e Flamurtarit. Tashmë ky është një fakt, madje kam nisur stërvitjen, me qëllimin që të jem gati, kur të grumbullohet skuadra.

– Kur do të jeni në Vlorë?

– Besoj për 20 ditë, atëherë kur do të rinisim përgatitjet. Pra në fillim të muajit korrik do të kthehem ën Vlorë për të rinisur një tjetër sezon me Flamurtarin.

– Ky është sezoni juaj i tretë në Vlorë, si ndiheni?

– Është gjithmonë kënaqësi të luash për ngjyrat e Flamurtarit dhe këtë e kam shprehur hapur, gjithmonë. Shpresoj shumë që këtë sezon të tretë të jemi aty ku klubi do të na kërkojë. Edhe sezonin që u mbyll ishim shumë pranë, por shumë gjëra ndikuan për lojën e skuadrës. Por duhet të shohim para, të mos i rikthehemi asaj çfarë ndodhi në dëm të skuadrës.

– Duken i kënaqur?

– Ahhh, po, po (qesh). Patjetër që jam i kënaqur që jam rikonfirmuar te Flamurtari. Dhe ajo telefonatë më dha kënaqësi. Jam entuziast edhe për faktin se së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, do të bëjmë diçka mjaft të mirë për Flamurtarin. Për klubin dhe qytetin, për tifozët, pasi e meritojnë diçka të tillë.

– Kanë rinovuar edhe disa lojtarë të tjerë, si Musta dhe Useini?

– Natyrisht që më bëhet qejfi. Klubi po punon dhe jam i bindur se do të jemi një skuadër mjaft e mirë sezonin tjetër. Rinovimet me ata lojtarë që klubi mendon janë pozitive dhe kjo tregon se drejtuesit duan pa dyshim një skuadër cilësore. Ashtu si edhe ne. Mezi pres të rifilloj punën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *