Bushiç: Flamurtari i fortë, por të mos flasim për titull!  

Kapiteni i skuadrës vlonjate mendon se vendi i dytë është i merituar: Të ecim kështu, ndeshja me Teutën nuk do të jetë si në fazën e parë

 Elton Nika

Tomisllav Bushiç mund të konsiderohet pa dyshim si një nga lojtarët kyç të këtij Flamurtari. Me 6 golat e realizuar në kampionat, kroati i ka dhënë pikë me vlera skuadrës vlonjate, por kapiteni i kuqezinjve shprehet me modesti në lidhje me rezultatet e deritanishme. Ai nuk kërkon të marrë merita, por thekson se të rëndësishme janë fitoret e Flamurtarit, që kanë ardhur nga forca e grupit. Bushiç u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj Lushnjës, por besohet se do të jetë gati në përballjen me Teutën në fundjavë. Sulmuesi e konsideron shumë të rëndësishme këtë ndeshje, ndërkohë që nuk i pëlqen që në këtë moment të flitet për titullin kampion, por vetëm për sfidën e radhës. Ja intervista e kroatit për “Sport Ekspres”:

– Bushiç, si ndiheni tani, pas atij dëmtimi që pësuat në ndeshjen me Lushnjën?

– Në fakt, kam bërë dy ditë pushim, për shkak të dëmtimit që pësova në Lushnjë, por jam drejt përmirësimit dhe të shohim për aktivizimin. Për një lojtar është e rëndësishme të luajë në çdo takim dhe ndoshta ai dëmtim erdhi nga lodhja, sepse në Lushnjë luajtëm dy ditë pas ndeshjen me Skënderbeun. Tani jam më mirë, pasi dy ditët pushim më kanë ndihmuar.

– Flamurtari arrti të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në atë transfertë ndoshta me shumë fat…

– Ishte fitore shumë e rëndësishme. Erdhi në fund, kur Liçaj ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm dhe ato tri pikë na vlejnë shumë. Vinim pas ndeshjes me Skënderbeun, ku siç e thashë, kishim shpenzuar shumë energji, megjithatë ia dolëm të fitonim, falë atij goli të mrekullueshëm të Liçajt, ndoshta edhe me fat.

– Të shtunën në Vlorë vjen Teuta. Si e parashikon Bushiç këtë ndeshje?

– Një ndeshje të vështirë, si të tjerat në kampionat. Teuta vjen pas dy fitoreve radhazi në kampionat dhe dihet që do të kërkojë ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive, por edhe ne kemi të njëjtin objektiv dhe do të japim maksimumin. Teuta është nga ato skuadra, që luan mirë futboll dhe të lë shumë pak hapësira, ndaj duhet të shfrytëzojmë mundësitë që do të kemi për të marrë fitoren. Do të jetë një takim shumë i luftuar. Na vjen keq për faktin se nuk do të kemi tifozët në stadium, ndaj të fitojmë edhe për ta.

– Teuta nuk lë hapësira, por ju i shënuat dy gola fazën e parë në frushën e saj. Ia dini “sekretet” apo jo?

– (Qesh). Po, e vërtet është, por ishte vetëm një ndeshje dhe kjo e radhës nuk i ngjan aspak asaj që kemi luajtur fazën e parë. Natyrisht, dëshirë do të kisha të shënoja sërish dy gola, por nuk kanë rëndësi ky fakt. Rëndësi ka që skuadra të fitojë, nuk ka rëndësi se kush realizon.

– Flamurtari ndodhet sot në vend të dytë. E prisnit këtë ecuri?

– Jemi të kënaqur, edhe pse mendoj si gjithë të tjerët: që Flamurtari sot duhej të kishte disa pikë më shumë në renditje. Në ndeshje të caktuara, ku kemi marrë barazimin, na është mohuar fitorja dhe janë pikë që duhej t’i kishim ne në renditje. Megjithatë, vendi i dytë nuk është keq apo jo…?

– Po për titullin kampion, a beson ky Flamurtar?

– Nuk e di, objektivi ynë mbetet ndeshja e radhës. Vendi i parë është aktualisht 7 pikë larg, por shohim vetëm ndeshjen e radhës në kampionat. Kështu kemi ecur që nga nisja e kampionatit, ndaj le të shohim ndeshjen me Teutën. Pastaj, në fund të kampionatit bëhen llogaritë. Por, duke parë ku jemi, edhe mund të besohet, por pa presion. Klubi nuk na ka vënë nën presion dhe kështu kemi pasur qetësinë e duhur për të pasur një ecuri të tillë në këtë sezon.

– Çfarë ka ndryshuar te Flamurtari këtë vit?

– Mendoj se gjithçka nisi që me ngritjen e skuadrës dhe përgatitjen e saj gjatë verës. Trajneri Shpëtim Duro ka ngritur një skuadër të fortë dhe mbetet meritë e tij forca e saj. Flamurtari ka lojtarë mjaft cilësorë. Megjithatë, duhet të vijojmë në këtë rrugë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *