Bushiç: Bashkë me tifozët do ta mundim Skënderbeun

Sulmuesi kroat flet për ecurinë e vlonjatëve deri tani, objektivat e tij e të klubit, si dhe për kundërshtarin e radhës

Elton Nika

Faza e parë e kampionatit tashmë e përfunduar, vendi i tretë në kampionat, titulli i golashënuesit në Superiore, por edhe pjesëmarrja e Flamurtarit në kupat e Europës, për këto dhe të tjera flet sulmuesi Tomisllav Bushiç në intervistën për “Sport Ekspres”. Sulmuesi kroat, autor i gjashtë golave me vlonjatët, beson shumë te skuadra e tij, por kërkon që të vijohet me këtë ecuri. “Këpuca e Artë” nuk është një “fiksim” për të, duke vënë në plan të parë objektivat e klubit.

– Bushiç, tashmë është mbyllur faza e parë. Si mund ta komentoni ecurinë e Flamurtarit?

– Skuadra ka bërë mjaft mirë, edhe pse nëse më duhet të pranoj të vërtetën, kemi disa pikë më pak në renditje. Por kjo skuadër është e fortë, luan mjaft mirë dhe jemi në rrugën e duhur. Faza e parë ishte pozitive për Flamurtarin, kur kemi humbur vetëm një ndeshje përballë Skënderbeut dhe atë në nisje të sezonit. Më pas kemi bërë një fazë shumë cilësore.

– Gjashtë gola deri tani, “Këpuca e Artë” ju josh ndopak?

– Padyshim që çdo sulmues e dëshiron gjithmonë golin dhe mendoj se me gjashtë golat e shënuar deri tani kam bërë mirë. Unë përpiqem gjithmonë të jap maksimumin, të punoj mirë në zonë dhe padyshim të shënoj. Por nuk ka shumë rëndësi “Këpuca e Artë”. Kam shënuar unë, Danilo, Bicaj apo Hoxhaj. Nuk ka rëndësi se kush shënon, e rëndësishme mbetet që Flamurtari të marrë pikë dhe të shkojë para në renditje. Nuk jam i fiksuar pas titullit si golashënues, por padyshim dua të shënoj sa më shumë për skuadrën.

– Ndeshjen e fundit barazuat me Kukësin. Ç’mund të na thoni për atë takim?

– Për fat të keq po, barazuam. Po të shohësh të gjitha ndeshjet e fazës së parë, Flamurtari ka dominuar në fushën e lojës me të gjithë kundërshtarët. Kështu ndodhi edhe me Kukësin, që ka një ekip shumë të mirë. Nuk ishte e lehtë dhe rezultati mendoj se ishte i mirë, pasi pjesën e parë kemi qenë në disavantazh dhe më pas kemi barazuar pa u dorëzuar asnjëherë. Kemi merituar madje edhe fitoren, por në fund u mbyll 1-1.

– Skënderbeu është kundërshtari i radhës, si e shikoni këtë përballje?

– Mendoj se është një skuadër mjaft e mirë Skënderbeu dhe e vetmja që na ka mundur. Për fat të mirë do të luajmë me tifozë dhe unë e dua stadiumin plot ndeshjen me Skënderbeun, ndaj i bëj thirrje të gjithëve të vijnë në stadium. Padyshim një ndeshje e vështirë, por të shohim deri atëherë, pasi ka ende kohë.

– E shikoni Flamurtarin në kupat e Europës?

– Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, padyshim që po. Më shumë se ajo që pyetet për golashënues, unë dua të jemi në Europë me Flamurtarin. Deri tani kemi bërë mirë dhe të vijojmë në këtë rrugë. Kështu shkojmë në Europë padyshim.

– Dy vjet te Flamurtari. Si ndihet Bushiç në Vlorë?

– Mjaft mirë. Kemi një skuadër cilësore këtë vit dhe jam në vitin e dytë në Vlorë. Jam ndjerë mjaft mirë, si në shtëpinë time. Kam mësuar edhe shqip. Shpresoj shumë që t’u japim kënaqësi këtë vit tifozëve dhe qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *