Bushi: Tramexani, mungesë e rëndësishme për De Biazin

0

Ka qenë ndihmës i Xhani de Biazit deri përpara pak muajsh, deri kur Federata shqiptare e futbollit i dha një tjetër detyrë të rëndësishme: të ringrejë kombëtaren U-21. Një revolucion që do të shërbejë në kuadër të furnizimit të kombëtares së madhe. Alban Bushi e ka mirëpritur këtë detyrë dhe po përpiqet, me një plan të detajuar, të ringrejë këtë brez futbollistësh, edhe pse më 24 mars, në “Barbera”, do të jetë për sfidën Itali-Shqipëri, të cilën do të kishte dashur ta luante.

Në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, “Loku” ka folur për këtë sfidë, duke dhënë mendimin e tij edhe në lidhje me strategjinë dhe zgjedhjet që trajneri De Biazi mund të bëjë, në sajë edhe të mungesave që do të kemi, duke nisur nga dëmtimi i Mavrajt, forma jo e mirë e Ajetit dhe mungesa për shkak kartoni të Gjimshitit. “Sigurisht, De Biazi ka alternativa të tjera, duke nisur nga Andi Lila që ka bërë edhe mbrojtësin e djathtë shpesh, por edhe Kukeli, pasi ky i fundit e ka interpretuar mirë rolin si stoper dhe këtë e bën edhe te Zyrihu”.

Sa i përket strategjisë, sigurisht, Shqipërinë do ta shohim në mbrojtje: “Jemi ekip që duhet të mbrojmë, sepse do të ishte ndryshe nëse do të ishim në fushën tonë. Duhet të mbrojmë të gjithë bashkë”. Ndërkohë, ai i dërgon mesazh De Biazit që të shohë më shumë edhe nga Superliga dhe lojtarët që ajo “prodhon”, si trampolinë për kombëtaren: “Sigurisht, momenti është që të kthehen sytë edhe nga lojtarë që luajnë me Partizanin, Skënderbeun, apo Kukësin. Nuk po them se janë më mirë se ata që luajnë jashtë, në Gjermani apo diku tjetër, por që për një apo dy ndeshje nuk është e thënë që të mos thërriten. Për ata do të ishte e rëndësishme edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm dhe transferuar jashtë”.

Në fund, Bushi tha se mungesa më e rëndësishme do të jetë e Tramexanit: “Sigurisht, mungesa e rëndësishme do të jetë Tramexani, jo në rezultate, por në punë. Sepse, ai është rritur me këtë kombëtare dhe De Biazit i duhej shumë. Jo vetëm Tramexani, por të gjithë nga pak kemi dhënë kontribut, si unë, Bogdani, apo edhe Altin Lala. Do të jetë një grumbullim ndryshe”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here