Bushi: Rezultati nuk kishte rëndësi, ishte test për të rinjtë

Fitorja 3-2 me përbysje me Maltën nuk e entuziazmoi. Përkundrazi, sipas trajnerit të Shpresave, Alban Bushi, rezultati nuk ishte parësor, sepse synimi i takimit në “Loro Boriçi” ishte testi i elementëve të rinj. Kjo duke përfituar edhe nga mungesat e disa lojtarëve, të cilët u larguan nga skuadra për shkak dëmtimesh.

“Kishim shumë lojtarë të larguar dhe të dëmtuar. Si Muçoli apo Mala, të cilët i ndryshuam për shkak problemesh. Rezultati nuk kishte shumë rëndësi në këtë ndeshje të dytë miqësore me Maltën, por provuam shumë lojtarë të rinj. Gjithsesi, na kënaq rezultati dhe deri diku loja, edhe pse kemi ende shumë punë për të bërë dhe ekipi duhet të rritet. Megjithatë, kjo është një skuadër, e cila ka elementë cilësorë”.

Për të ardhmen e përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Bushi tha: “Lojtarët i kemi, si janë Ademi, Vrioni apo Mihaj, të cilët janë në ekipin e parë. Por, nëse ata do të kthehen këtu me Shpresat, apo me afrimin e dy-tre lojtarëve të tjerë, mes të cilëve një talent mjaft të fort i cili luan në francë, do të jemi një ekip i fortë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *