Bushi për krahasimin mes Shqipërisë dhe Kosovës: Po të shohësh, kemi më shumë cilësi

Shqipëria dhe Kosova do të përballen në datën 15 tetor, e vlefshme për grupmoshën U-21. Trajneri Alban Bushi ka grumbulluar për herë të parë Qardakun e Bylisit dhe Cokajn e Lokomotivës së Zagrebit.

Në konferencën për shtyp gjatë ditës së sotme, ka bërë edhe një krahasim mes kuqezinjëve dhe dardanëve. Kështu, Bushi vendos theksin se lista e Shqipërisë ka më shumë cilësi, por ajo që mungon tek këta futbollistë, është dëshira dhe ego për të fituar.

“Kosova ka shanse për t’u kualifikuar dhe nuk bëjnë ndryshime sa ne, që furnizmojmë A-në. Janë një hap më lartë se ne. Kanë më shumë dëshirë për të fituar dhe ne nuk e kemi. Lojtarët tanë kanë më shumë cilësi, por nuk e kemi në gjak atë dëshirë të madhe dhe pse ne i motivojmë. Tifozët gjithmonë na kanë mbështetur dhe unë pres që do të jenë shumë në numër ndaj Kosovës. Nga këto ndeshje që kemi zhvilluar, kemi gabuar vetëm në ato lënie pikësh ndaj Andorrës. Kemi marrë edhe lojtarë si Bullari dhe Broja që nuk e kanë moshën për te ne. Në futboll duhet të luftosh për 95 minuta, jo për 5 minuta, pasi ky nuk është basketboll”, ka thënë Bushi. /Sport Ekspres/