Bushi mund të buzëqeshë, Vrioni protagonist në fitoren e Cittadellas

Në prag të grumbullimit me Shpresat e Shqipërisë, Xhakomo Vrioni i jep sinjale pozitive Bushit me një asist në ndeshjen e sotme. Sulmuesi kuqezi ka arritur të jetë pjesëmarrës në një prej golave që ekipi i tij i Cittadella shënoi në fitoren 0-2 ndaj Cremoneses në ndeshjen e shtatë të Serie B. Sulmuesi shqiptar u fut në fushën e lojës në minutën e 75 të takimit dhe pas vetëm 6 minutash ka lënë shenjën e tij.

Vrioni ka dhënë pasimin final për futbollistin Diaw, i cili pas gabimit të portierit kundërshtar Ravalia nuk e pati të vështirë të tundë rrjetën në minutën e 81 të ndeshjes. Cittadella dyfishn kështu shifrat dhe vulos fatin e kësaj përballje, prej të cilës rrëmbyen tre pikët e radhës, duke u pozicionuar në vendin e 7 në tabelën e renditjes me 12 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë, kjo e sotmja ishte paraqitja e katërt e sulmuesit shqiptar me ekipin italian dhe asisti i dhënë  ishte mënyra më  e mirë për të bindur trajnerin që t’i japë më tepër minuta në këmbë./Sport Ekspres/