Bushi: Grezda meritonte më shumë se Rejnxhërsi, lojtar klasi!

Eros Grezda është transferuar në Skoci te Rejnxhërs, ndërkohë që për anësorin ka pasur shumë elozhe gjatë kësaj periudhe. Për lojtarin anësor të kombëtares ka folur edhe Alban Bushi, trajneri i Shpresave, i cili mendon se Grezda meritonte një lëvizje edhe më të madhe se kjo.

“Kur shikonim se sa i talentuar është Grezda, të gjithë prisnim që ai të shkonte në një stad më lart se Rejnxhërs. Ai është një lojtar që mund të jetë i klasit botëror. Por unë jam i sigurt që ai do të jetë në gjendje ta provojë veten te Rejnxhërsi. Duke ditur cilësitë e tij, ai do të ketë një impakt të madh”, është shprehur Bushi, sikurse raporton “Express.co.uk”.

Më tej ish-sulmuesi ka shtuar: “Ai meritonte një transferim më të madh dhe mendoj se do të bëjë mirë në Skoci. Ai është një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë dhe kur ai luan mirë, ne tentojmë të bëjmë mirë. Erosi ka punuar shumë dhe i uroj atij fat”.

Grezda ka shkëlqyer në Kroaci me Osijekun dhe vetëm pas një viti u shit për rreth 3 milionë euro. Më parë ai kishte qenë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, ku edhe ra në sy për herë të parë, duke fituar edhe një vend në kombëtaren shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *