Bushi buzëqesh: Krenar për këtë skuadër, në Islandë erdhi shpërblimi i merituar

E nisi keq Alban Bushi me Shqipërinë U-21, një barazim e një humbje e pafat, asnjë gol i shënuar, edhe pse rastet ishin të shumta.

Dje në Islandë erdhi fitorja e shumëpritur, ndaj një rivali superior në faktin se skandinavët kanë vite që luftojnë për kualifikim ose marrin pjesë në Europianë moshash, diçka që ne nuk po e arrijmë dot, edhe se talentet nuk na mungojnë.

Trajneri Alban Bushi, në një prononcim për Supersport, vlerëson në maksimum fitoren e djeshme, duke e quajtur një shpërblim për sforcimin e madh dhe lojën e shfaqur në ndeshjet e shkuara: “E rëndësishme është që kemi krijuar raste, edhe në ndeshjen e parë edhe ndaj Irlandës. Por, ndonjëherë shpërblehesh kur mundohesh dhe krijon raste. Nuk shpërblehesh kot. Për këtë jam edhe më i lumtur, sepse bëmë një lojë shumë të mirë, një paraqitje fantastike. Nuk i lamë hapësira kundërshtarëve.

“Kundërshtarët i kishim pak të vështirë t’i analizonim përpara ndeshjes, sepse analizuam vetëm një ndeshje të përpara gjashtë muajve me Gjeorgjinë dhe është e vështirë. Menduam që topin ta luanim gjithmonë poshtë, ndryshe nga sa ndodhi në Irlandë, ku provuam topat e gjatë. Këtë radhë gjithçka mirë. Luajtëm 4-4-2: mesi funksionoi shumë mirë, krahët hapeshin. Jam i kënaqur sepse skuadra u paraqit mirë në lojë dhe kemi shumë lojtarë premtues për ekipin e parë”.

Tre gola në goditje standarde? “Kam gjithë kohën që u kërkoj lojtarëve të mos shkaktojnë faull. Goli i dytë u pësua shumë lehtë. Problemi lindi që në momentin e shkaktimit të faullit. Me Irlandën shkaktuam shumë faulle, sot më pak. Pjesa më e madhe e ekipit është e ditëlindjes 98, pjesa më e madhe janë pjesë e ekipit edhe për edicionin e ardhshëm. Po luajnë me kundërshtarë dy vjet më të mëdhenj. Të tillë ishin Islandezët, të cilët janë edhe në mesin e sezonit, por sërish ne e dominuan ndeshjen.

Motivimi i skuadrës: “Pas analizave gjatë gjithë javës, përpara ndeshjes thuajse nuk u fola fare djemve. U thashë vetëm pak fjalë: ‘do ta fitoni këtë ndeshje, jeni më të mirë se ata. Islanda nuk ka as Mesi dhe as Ronaldo’. Ndihesh krenar që drejton djem të tillë, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Natyrshëm që nevojitet edhe kualiteti, të cilin Shqipëria ka nisur ta ketë”.

4 shtatori fatsjellëse, si me Greqinë para shumë vitesh. “Nuk është e rastësishme kjo datë. Por, tani shpresojmë të muaji tjetër, pasi në tetor na vjen Islanda në shtëpi. Të shijojmë këtë fitore që arritëm dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *