Burreli tjetër hap fals, Dinamo i kënaqet pikës

Është mbyllur në barazim ndeshja Burreli-Dinamo, e zhvilluar dje në “Liri Ballabani”. Nëse trajneri Berberi, lojtarët matjanë dhe stafi drejtues mbetën të zhgënjyer nga rezultati, tekniku i dinamovitëve u shpreh i kënaqur me një pikë në transfertë. Gjithë faktorët e Burrelit kishin deklaruar para takimit se fitorja ishte e garantuar. Madje, vendasit në bastet sportive e kishin memorizuar fitoren e Burrelit.

NDESHJA – Skuadra e Berberit zhvilloi volum më të madh loje dhe pati raste më të shumta shënimi, por ato u shpërdoruan nga lojtarët vendas. Sakaq, portieri Saraçi tregoi vlerat me pritjet e tij, duke mos lejuar matjanët të shënonin. Në të 4’ është Toçi për Dinamon që gjuan rreptë dhe u kujton burrelasve se nuk kanë udhëtuar për piknik drejt “Liri Ballabanit”. Një minutë më vonë loja tensionohet për pak sekonda pas një “provokimi” të Toçit, por që ka vetëm karton! Në të 9’, Lampeti për Burrelit tenton të zhbllokojë rezultatin, por Saraçi e zotëron topin. Tre minuta më pas është Kurbneshi për vendasit që lëshon një “predhë” drejt portës, por “gardiani” i portës dinamovite e grushton “sferën”. Në të 16’ është Kaloshi për Burrelin që vë në vështirësi mbrojtjen e Dinamos. Pak çaste pas këtij rasti janë miqtë nga Tirana që rrezikojnë me Gjatën. Vetëm 11-metra larg portës së Hilës gjuan dobët. 25’ skuadra e Allmuçës kishte rastin më ideal për të shënuar. Elmazi i gjendur fare pranë portës merr një pasim perfekt nga kolegët, gjuan fort me kokë dhe Hila pret mjeshtërisht. Kur kishte mbaruar gjysmë ore lojë Farruku pretendon për penallti por  Zhuli vijon lojën.   

Pjesa e dytë – Nis më e luftuar. As matjanët dhe as dinamovitët nuk i binden këtij rezultati. Berberi aktivizon Shahinin, Ogbejesin e Mallunxën dhe Allmuça freskon ekipin me Sallakun, Sulejmanin e Tragën. Ka edhe raste por jo gol. Dinamo e mbyll me dhjetë vetë sepse Sulejmanaj del me të kuqe…!

Pas ndeshjes…

Sh. Berberi, trajner i Burrelit: “Jam i kënaqur me volumin e lojës dhe sidomos me harmonizimin e lojës nga repartet dhe lojtarët. Krahasuar me dy ndeshjet e tjera skuadra pati raste më të shumta shënimi. Por, mbetem i shqetësuar se vazhdon të na mungojë goli, ai që zbukuron ndeshjen e futbollit. Në këtë përballje na mungoi edhe fati”.

Allmuça, trajner i Dinamos: “Transferta me Burrelin nuk ishte një ndeshje e lehtë për skuadrën time. E kërkuam fitoren por nuk e realizuam dot. Gjithsesi, jemi të kënaqur me barazimin, pasi Burreli në fushën e vet është i fortë”.

BURRELI – DINAMO    0-0

BURRELI: Hila, Xhuveli, Pashaj, Ibrahimllari, Mema, Polisi, Stana, Lamptej, Kaloshi (Shahini 56’), Farruku (Ogbejesi 67’), Kurbneshi (Mallunxa 82’). Trajner: Sh. Berberi.  (Në dispozicion: Hysa, Hyka, Lika, Çupi).

DINAMO: Saraçi, Shaba, Muça, Suvarija, Allmuça, Gjata, Nuriu, Toçi (Sallaku 55’), Lika (Sulejmani 67’), Elmazi (Traga 78’), Çota. Trajner: I. Allmuça. (Në dispozicion: Hoxha, Peqini, Doksani, Hasa) Tr. I. Allmuca

GJYQTARË: I Zhuli, A. Bixhi, R. Dobruna, G. Velçani (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Kurbneshi 5’ / Toçi 5’, Elmazi 71’

Karton i kuq: Sulejmani 90’+3

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *