Bunjaki publikon listën e fundit si trajner i Kosovës: Duam ta mbyllim me befasi

Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen kundër Ukrainës dhe Islandës. Kosova dhe Ukraina do të ndeshen këtë të premte në ‘Loro Boriçi’, kurse të hënën e ka radhën ndeshja e fundit kualifikuese, në Islandë.

Në përfaqësuese janë kthyer Celina, Pnishi, Rashani, Kastrati e Bekaj, por edhe Fidan Aliti i Skënderbeut. Bernard e Valon Berisha do të jenë të gatshëm për ndeshjen në Islandë, pasi janë të pezulluar për Ukrainën.

Duke prezantuar listën, Bunjaki u shpreh: “Janë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kosovën, një fazë finale mjaft interesante, duke pasur parasysh se janë dy kombëtare që janë në pozitë që ta fitojnë grupin, edhe Ukraina edhe Islanda. Për ne është një nder të takohemi më këto dy kombëtare. Në këtë moment mendon për Ukrainën, që në këtë momente është ndeshja më e rëndësishme për ne. I dimë kapacitetet e Ukrainës, por duam ta mbyllim duke befasuar”.

“Nëse e gjejmë nivelin e lojës sikurse me Kroacinë, atëherë mund ta befasojmë edhe Ukrainën dhe Islandën. Me Ukrainën e di që arma kryesore e tyre është loja ajrore, e di që kanë dy lojtarë jashtëzakonisht të nivelit të lartë, kanë edhe lojtarë tjerë që janë shumë të rrezikshëm, por nëse ne e fitojmë duelet ajrore, kemi gjasa shumë të mëdha që ta befasojmë Ukrainën. Ndeshja me Islandën do të jetë ndryshe, klima është më ndryshe, është loja e fundit e grupit, shumë gjëra do të vendosen në atë ndeshje, mirëpo përqendrimi ynë do të jetë loja me Ukrainën”.

Bunjaki mendon për të ardhmen e Kosovës: “Akoma jemi kombëtarja më e re në botë, qëllimi ynë ka qenë të krijojmë një kombëtare me një grup të lojtarëve të rinj, të përfitojnë eksperiencë që do të shërben për të ardhmen”.

Ai ka folur edhe për largimin e tij nga kreu i bankinës së Kosovës, pasi kundër Ukrainës dhe Islandës drejton për herë të fundit përfaqësuesen kosovare. Aventura e tij në krye të Kosovës kishte nisur 15 vite me parë. Ai thotë se ndihet i lumtur që ka drejtuar Kosovën në kohën më të vështirë.

“Vendimi im ka qenë vendim personal, kam një marrëveshje me federatën deri në verën e ardhshme, duhet te ulem të bisedojmë se çfarë mund të ndihmojë. Jam i hapur për bashkëpunim, e shoh veten se mund të jap kontributin pse jo, mirëpo, ka ardhur edhe koha që të mendoj edhe për veten, pasi jam në Kosovë prej 15 vitesh. Unë kam ardhur në kohën e sfidave dhe nuk i jam frikësuar asnjëherë kohës së vështirë”, ka theksuar Bunjaki.

Lista e Bunjakit:

Portierë: Samir Ujkani (Kremoneze), Visar Bekaj (Prishtina), Bledar Hajdini (Trepça ’89).

Mbrojtës: Amir Rrahmani (Dinamo Zagreb), Bajram Jashanica (Skënderbeu), Mërgim Vojvoda (Muskron), Alban Pnishi (Grasshoper), Ardin Dallku (Vorskla), Fidan Haliti (Skënderbeu), Leart Paqarada (Sand’hauzen), Lirim Kastrati (Roma).

Mesfushorë: Hekuran Kryeziu (Lucernë), Besar Musolli (Kukësi), Bernard Berisha (Ahmat Grozni), Besar Halimi (Brondbi), Valon Berisha (Salcburg), Flamur Kastrati (Sandefjord), Donis Avdijaj (Shalke), Milot Rashica (Vitese), Bersant Celina (Ipsuiç).

Sulmues: Elbasan Rashani (Od), Atdhe Nuhiu (Shefild Uensdi), Vedat Muriqi (Gençlerbirligi).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *