Bundesliga është gati të kthehet sërish, Ministria e Punës hedh idenë e vecantë: Futboll me maska, të ndalet loja sa herë bie

Bundesliga është e para që po hedh hapin për të rinisur edhe njëherë kampionatin. Data 9 maj është synimi i tyre, ndërsa klubet kanë nisur prej disa kohësh stërvitjen në grupe të vogla lojtarësh. Megjithatë një propozim i veçantë ka ardhur nga Ministria e Punës në Gjermani, të cilët kërkojnë që të gjithë futbollistët të zbresin në fushën e lojës me maska në fytyrë. Madje, sipas asaj që raporton “der Spiegel“, maska duhet të jetë e tillë që të mos bjerë për asnjë arsye, si në vrapime të shpejta, në ndërhyrjet fizike, goditjet me kokë apo në ndonjë rast tjetër.

Në të kundërt gjyqtari do të duhet t’i fryjë bilbilit për të ndalur lojën. Por nëse ndalesat e tilla bëhen të shpeshta, atëherë padyshim që ndeshja do të humbë shumë nga bukuria e saj. Gjithashtu mbajtja e maskave për 90 minuta ndoshta mund të ndikojë edhe në frymëmarrjen e lojtarëve, të cilët mund t’i harrojë sprintet e fuqishme e të shpeshta në fushën e lojës. Vendimi përfundimtar sa i përket kësaj ideje do të merret në 30 prill, ndërsa shumë kanë dalë kundër dhe nuk e shohin të arsyeshme të zbatohet./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *