Bufon “hap kartat”, nga tërheqja nga futbolli, te Dibala e Bonuçi

0

Xhanluixhi Bufon ka lëshuar një intervistë të gjatë për Tuttosport, ku ka folur për gjithçka, në lidhje me karrierën e vet, Juventusin e merkaton.

FUNDI I KARRIERËS – “Sezoni i 17-të? Nuk dua të flas më, e mbyll këtë vit dhe dua të largohem me një sezon madhështor, me paraqitje në lartësinë e emrit tim dhe me Juven në nivelet që meriton. Dua ta lë futbollin pa u bërë ende për t’u hedhur…”.

CHAMPIONS LEAGUE – “Për mua nuk ka qenë kurrë fiksim, thjesht një stimul pozitiv. Thuhet se më është bërë fiksim, por nuk është e vërtetë”.

KAMPIONATI – “Pres një sezon shumë emocionues dhe të ekuilibruar, me disa skuadra që mund të kthehen në nivele të larta, duke e bërë Serinë A më të pëlqyeshme”.

LARGIMET – “Juventusi është më i fortë pa Dani Alvesh dhe Bonuçin? Duhet të presim, të shohim. Por jemi më ndryshe tani, kemi bërë përforcimet e duhura dhe skuadra ka shumë alternativa në çdo repart.

BONUÇI – “Mendoj se ai ndiente përbrenda nevojën për një sfidë të re dhe ajo me Milanin e tërhiqte shumë. Tani që iku, duhet të shohim përpara, duke e falënderuar për gjithçka. Juventusi është i tillë, kampionët vijnë e ikin gjithnjë. Edhe Dani Alvesh kishte nevojë për sfida të reja, ai nuk është i lidhur me Juventusin prej një jete, nuk mund të kritikohet. Bonuçi tradhtar? Jo, gjithsecili ka situatën e vet personale dhe familjare, që ka një peshë të madhe në zgjedhjet  jetës dhe karrierës. Bonuçi është rritur shumë në 7 vite në Torino, në çdo drejtim, e dua shumë dhe kemi një lidhje të fortë. E përshëndeta në rrjetet sociale sepse ishte një moment në të cilin kishte nevojë për të ndier afërsinë dhe ngrohtësinë tonë”.

FINALJA NDAJ REALIT – “Nuk ndodhi asgjë në Kardif, thjesht na mundi një skuadër më e fortë dhe duhet ta pranojmë, pa gjetur justifikime”.

MERKATOJA – “Mbrojtja është perfekte, nuk e këmbej me askënd, nuk ka më të mirë në qarkullim. Bernardeski? Operacion i shkëlqyer i klubit, është një talent i pastër dhe do përmirësohet shumë me kalimin e viteve. Ndoshta numri 10 është shumë i rëndë, nuk e di a do t’ia jepja, të ishte për mua, sepse talentet nuk duhen rënduar me përgjegjësi”.

DIBALA – “A do të qëndrojë? Me thashetheme nuk shkojmë gjëkundi… Nuk ka siguri asnjëherë deri në 31 gusht dhe jetojmë në një epokë rrjetesh sociale, por besoj se në fund Paulo do të qëndrojë dhe do të na ndihmojë”.

SHÇESNI – “Kemi një grup të bukur portierësh, edhe unë mësoj prej tyre. Shçesni ishte portieri më i mirë i Serisë A sezonin e shkuar dhe Juventusi kreu një operacion shumë të drejtë, sepse e ardhmja do të jetë e tij”.

DE SHILIO – “Uroj ta rigjejë veten, sepse nuk e di pse, ka mbetur në vend dhe i duhej ky ndërrim ambienti, për të bërë hapin e madh”.

TITULLI – “Mendoj se Milani do të luftojë për titull, ka investuar fuqishëm, edhe pse tregu është bërë i padeshifrueshëm, nuk merret vesh vlera reale e një lojtari. Dëgjoj të flitet që Nejmar vlen 222 milionë euro, por duhen kufij, nuk vazhdohet kështu. Nëse topin e fryn pa fund, do plasë”.

TEKNOLOGJIA DHE ARBITRI SHTESË – “Jam i lumtur që VAR po futet në Serinë A. Do doja që 6 kampionatet e fundit të analizohen nga e para, për të parë me prova filmike që ne i kemi merituar titujt”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image