Bufon dhe “penalltitë e mallkuara”, Champions Liga mbetet akoma tabu!

Champions Liga po kthehet në një “mallkim” për Xhixhi Bufon. Portieri legjendar la Juventusin në verë për t’u transferuar te PSG. 41-vjeçari nuk ka ndërmend të ndalet dhe është shumë afër rinovimit të kontratës deri në verën e vitit 2021.

Bufon ka fituar gjithçka në karrierë, por mungon trofeu me veshë të mëdhenj. Eliminimi përballë Mançester Junajtid ka tronditur ambientin e PSG. Penalltia e minutave shtesë, që u akordua me ndihmën e VAR-it, i riktheu portierit italian fantazmat e sezonit të kaluar.

Ai dhe Juventusi ishin shumë pranë përmbysjes së madhe kundër Realit, por një penallti e dyshimtë në minutat shtesë solli tërbimin e bardhezinjve, sidomos të Xhixhit. Karton i kuq për portierin, i cili nuk pati mundësinë që të tentonte pritjen e penalltisë së Kristiano Ronaldos.

Rikthehemi te sfida e djeshme. Pasi gaboi duke i dhuruar Lukakut golin e dytë, Bufon e pa veten sërish në shtesa dhe me një penallti kundër që duhej pritur në çdo mënyrë. Përballë ishte një futbollist 20 vite më i ri, i cili ia doli ta mposhtë dhe nxjerrë jashtë loje Bufonin dhe gjithë PSG.

Gjithmonë penalltitë e mallkuara. Si finalja e parë për të kundër Milanit. Ishte viti 2003 dhe Bufon ndalte dy herë milanistët, por nuk mund të bënte gjë përballë njëfarë Andrij Shevçenko në goditjen finale…

Dhimbja dhe zhgënjimi te kampionët e Francës janë të mëdha, por Bufon do të tentojë të ringrihet përsëri, për të vazhduar të ndjekë si një fëmijë i vogël ëndrrën e tij të madhe për të fituar Champions Ligën e munguar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *