Bufon: Arbitër pa personalitet, më mirë të qëndronte në tribunë

Sërish mallkim: për Juventusin Liga e Kampioneve mbetet një makth, sepse gjithçka i shket nga duart pikërisht kur duket se është arritur te “ëmbëlsira”. Më i pafati nga të gjithë është Xhixhi Bufon, ai që ka fituar gjithçka në karrierë, por vetëm atë Champions të mallkuar nuk e ka ngritur dot në ajër, edhe pse i ka ardhur rrotull, thuajse e ka prekur, i ka kaluar afër.

Pas ndeshjes ndaj Realit, ku mori edhe një karton të kuq në shtesë për protesta, legjenda bardhezi tha: “Jeta vazhdon. Jam i lumtur dhe krenar për mënyrën si luajtëm, e bëmë të pamundurën të mundur. Është mëkat që mbyllet kështu.

“Dhamë gjithçka. Reali është një ekip i madh dhe shpresoj që t’i shkojnë deri në fund, por sot ne meritonim të paktën të luanim edhe shtesat”.

Ndërkaq, duke folur për Mediaset, Bufon nuk i mban nervat: “Ishte një aksion i dyshimtë në minutën e 93-të, duhet cinizëm që t’i shuash kështu ëndrrën një skuadre që dha shpirtin. Ky arbitër nuk ka personalitetin e duhur për nivele të tilla. Nëse nuk ke personalitet, më mirë rri në tribunë me bashkëshorten. Nuk mund të kushtëzosh një ndeshje të tillë, ku po bëhej diçka epike. Duhet pak ndjeshmëri, për të kuptuar që po bën një katrahurë. Reali e meritoi të kalonte dhe do fitojë titullin. I bëj komplimente, është klub i madh, por ne meritonim të luanim shtesat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *