Bregu në dyshim, Lika: Objektivi ynë, tre pikët kudo

Reshjet e shiut nuk i dhanë mundësi Luftëtari ta zhvillonte stërvitjen e fundit në Fushën e Vjetër, duke e kryer atë në pallatin e sportit, ku pas disa ushtrimeve fizike, u zhvilluan edhe disa lojëra me dorë. Futbollistët u stërvitën në grup, përfshi edhe ata që ende mbeten në dyshim për t’u aktivizuar, si Rapa dhe Lamçe. Mungonte vetëm Dejvi Bregu, i cili për arsye familjare është larguar me leje dhe në vartësi të problemit që ka mbetet në dyshim aktivizimi i tij. Si zakonisht trajneri Hasan Lika ka dalë përpara mediave dhe ka deklaruar: “Është e vërtetë që vijmë pas një humbje të thellë 3-0 në Laç, që për më shumë erdhi si pasojë e gabimeve tona, gabime të njëjta me ato që konstatova kur erdha në drejtim të Luftëtarit, por të shfaqura minimalisht në ndeshjet e fundit, duke më dhënë të kuptoj dhe të kërkoj nga futbollistët se duhet luftuar euforia. Pavarësisht se luhej për Kupë, kishim dhe kemi synim fitoren e saj, prandaj nuk na lejohej ai rezultat. Kjo nuk do të thotë se futbollistët kanë përjetuar “shok”, që të na prishë punë për ndeshjen e radhës dhe skuadra të mos kthehet në atë lojë që ka mundësinë ta shfaqi. Pasi e analizuam ndeshjen e Kupës, kemi nxjerrë mangësitë e asaj loje. Tani jemi të gatshëm për ndeshjen e kampionatit. Edhe pse kemi disa probleme dëmtimesh si Rapa dhe Lamçe, gjenda e gjithë të tjerëve është optimale.

“Mund të na mungojë edhe Dejvi Bregu për arsye familjare. Shkojmë në Lushnje për të marrë një rezultat pozitiv. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi përball një ekip të fortë, i cili ka pasur rritje në lojë dhe ka arritur rezultate pozitive. Nuk duhet të ndikohemi nga pozita e kësaj skuadre, por nga loja që ajo aktualisht zhvillon. E kemi studiuar me interes këtë ekip, si çdo ekip tjetër që jemi përballur. Luajmë në fushën e tyre dhe fitorja për ta është detyrim, por dhe ne nga ana jonë për të njëjtin objektiv udhëtojmë”.

Gëzim Beqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *