Bregu-Flamurtari, transferimi dështon përfundimisht

Dejvi Bregu është ndër lojtarët më të kërkuar në Superiore dhe me kontratën që i mbaron në verë, edhe Luftëtari ka interes që ta shesë, për të mos dalë pa fitim në fund të sezonit. Megjithatë, në Gjirokastër nuk lëshojnë pe nëse pagesa nuk është e lartë dhe gjithashtu duhet marrë edhe aprovimi i Bregut.

Sulmuesi vlonjat është ende i pavendosur për të ardhmen dhe se pari kërkon të mbyllë sa më mirë këtë vit, duke parë gjendjen e vështirë të Luftëtarit në renditje.

Kohët e e fundit Flamurtari ka dalë hapur dhe ka kërkuar të marrë në Vlorë talentin që e ka rritur vetë, por e ka lënë të lirë në mënyrë naive pak vite më parë. Tani trajneri Shpëtim Duro ka bërë të pamundurën që ta përforcojë skuadrën me yllin e Luftëtarit dhe presidenti Sinan Idrizi ishte gati të plotësonte kërkesat e Luftëtarit, por edhe të lojtarit.

Megjithatë, operacioni ka dështuar. Bregu ka kërkuar kohë, për të vendosur në janar, kur me shume gjasa do të ketë interesim real edhe nga klube të huaja dhe pikërisht largimi nga Superiorja është synimi i tij, nëse le Luftëtarin.

Shpëtim Duro nuk dëshiron ta mbajë skuadrën pezull deri muajin e ardhshëm, sepse synon të kryejë fazë përgatitore me ekip të kompletuar dhe ka edhe emra të tjerë në listë, ndaj praktikisht i ka dhënë fund tratativës me Bregun. Lajmi është konfirmuar për Sport Ekspres nga trajneri i vlonjatëve. Me ekipin aktual, plus Nedeljkoviç dhe Muarem, gjithsesi Flamurtari nuk është keq në repartin ofensiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *