Bregu e pranon: Kartonin tim e ka Skënderbeu, kemi oferta!

Vlonjati pranon publikisht se është pjesë e ekipit korçar, por gjithashtu shprehet se ka oferta nga jashtë dhe nuk dihet çfarë do të ndodhë

Që Dejvi Bregu ishte i Skënderbeut, është thënë që në merkaton e dimrit, por nëse dikush ka pasur ndonjë dyshim, ia ka hequr dje vetë futbollisti vlonjat. Në një prononcim të tij për TVSH, Bregu e ka thënë me gojën e tij se kartoni i tij është blerë nga klubi korçar. Ai ka lënë të hapur gjithçka në lidhje me të ardhmen, pasi pranon se ka oferta nga jashtë vendit, por do të shihet në vazhdim se do të ketë një marrëveshje, që do të kënaqte si Bregun, ashtu edhe Skënderbeun.

Rezultatet e Luftëtarit kanë ardhur nga puna që ka bërë klubi prej disa kohësh dhe shpresoj ta realizojmë objektivin që kemi për të shkuar në Europë. Po, është e vërtetë që kartonin tim e ka blerë Skënderbeu, por mund të them se kam oferta të tjera dhe duhet të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ofertat janë edhe nga klube europiane, kështu që do të shohim se çfarë do të jetë më mirë për mua dhe Skënderbeun”, – ka pohuar dje Dejvi Bregu, i cili mund të ketë një histori të njëjtë me atë të shokut të ekipit, Kristal Abazajt. Për momentin është i angazhuar për të dhënë gjithçka që Luftëtari të jetë në kupat e Europës në fund të këtij kampionati. Të shtunën ka përballë Flamurtarin, skuadrën e qytetit të tij, dhe do të përpiqet ta mundë.

Vetëm disa ditë më parë klubi korçar bëri një transferim të bujshëm, shiti Kristal Abazajn tek Anderlehti në Belgjikë. Këtë lojtar e bleu në janar nga Luftëtari, ashtu si dhe Bregun, por e la të luajë në Gjirokastër deri në fund të këtij kampionati. Abazajt i doli fati më shpejt, ndërsa tani pritet që shitja e radhës e Skënderbeut të jetë pikërisht Bregu, që si shoku i skuadrës, duket se nuk do ta veshë asnjë ditë fanellën e korçarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *