Brazili dhuron spektakël në Austri, Nejmari arrin Romarion

Brazili ka mbyllur përgatitjet për Kupën e Botës, duke arritur një fitore spektakolare 3-0 në Austri pasditen e sotme. Në listën e shënuesve përfundoi edhe personi për të cilin flet e gjithë bota, Nejmar, i cili ka luajtur ndeshjen e parë si titullar që pas dëmtimit në muajin shkurt dhe tashmë është kthyer në 100% të formës.

Golin e parë e shënoi sulmuesi i Mançester Sitit Gabriel Zhezus, i cili në minutën 36-të nuk fali, duke konkretizuar epërsinë braziliane.

Në minutën e 63-të Uillian pasoi dhe Nejmar shënoi golin e sigurisë, që ishte i 55-ti me Brazilin për yllin e PSG-së, i cili në këtë mënyrë ka barazuar një legjendë të Brazilit si Romario dhe tashmë është vetëm 7 gola larg Ronaldos, ndërkohë që shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave është Pele, me 77 gola. Vetëm 26 vjeç, Nejmar ka edhe 6-7 vite kohë të paktën, për të tentuar kalimin e më të madhit.

Në minutën e 69-të Flilipe Kutinjo (asist nga Firmino) vulosi suksesin e Brazilit, që luajti një ndeshje të shkëlqyer, pikërisht në Austri, aty ku pak ditë më parë u mund Gjermania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *