Brazil-Argjentinë sjell thyerjen e tabusë, diçka historike në Arabinë Saudite

Mbrëmjen e kaluar Brazili triumfoi ndaj Argjentinës në klasiken amerikano-latine, në shifrat 1-0, me një gol të shënuar në fund nga Zhoao Miranda. Kjo ndeshje miqësore u zhvillua në Arabinë Saudite, në stadiumin “King Abdullah”. Pikërisht klasikja historike e luajtur mbrëmë ka sjellë edhe thyerjen e një tabuje për shtetin e Arabisë Saudite.

Një grua japoneze bëri histori duke u shëndrruar në gazetaren e parë femër dhe aq më tepër të huaj që ishte në një ndeshje futbolli në një stadium në Arabinë Saudite. Bëhet fjalë për,Kijomi Fuxhiuara Nakamuran, një gazetare japoneze, e cila ka shoqëruar kombëtaren e “Seleçaos” për thuajse 20 vite. Prania e japonezes shkaktoi mjaft çudi dhe tek rojet e sigurisë, të cilët tentuan ta largonin gazetaren. U desh ndërhyrja e një përfaqësuesi të federatës saudite që Kijomi të mbetej në tribunë.

Sipas përfaqësuesit të federatës, para se të vinte Kijomi, vetëm një gazetar saudit kishte qenë në vendin e saj në muajin mars. Deri në fillimin e vitit 2018, në shtetin e Arabisë Saudite, asnjë grua nuk mund të ndiqte ndeshje futbolli në stadium.

“Është një nder të isha gazetarja e parë e huaj këtu, por përsëri jam pak e frikësuar sepse në fillim nuk më lejuan të shkoja në vendin që i takonte shtypit. Gjithsesi, edhe pse pak e frikësuar, është një nder”, përfundoi gazetarja japoneze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *