Branica: Lushnja s’hap rrugë, maksimumin me çdo kundërshtar

Mesfushori peqinase thekson se skuadra e tij nuk duhet ta mbyllë kampionatin me psikologjinë se ka rënë një kategori më poshtë

Arjan Likja

Në kampin verdhejeshil stërvitja e ditës së shtunë është zhvilluar paradite nga trajneri Ilir Gjyla. Një spostim i detyruar në fakt, pasi pasdite u zhvillua në stadiumin e Lushnjës ndeshja miqësore e përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Bogdanit  ndaj Kazakistanit. E diela ishte planifikuar pushim nga stafi teknik i myzeqarëve, për t’iu rikthyer stërvitjes sot, ku puna do të fokusohet te transferta me Luftëtarin.

BRANICA – Mesfushori peqinase, Branca, i cili luan sezonin e tretë radhazi me fanellën e Lushnjës, mendon se pavarësisht daljes nga objektivi, ekipi duhet të mbajë moralin lart, duke bërë një paraqitje dinjitoze në çdo ndeshje të mbetur të kampionatit. Për “Sport Ekspres”, 25-vjeçari i linjës së djathtë të formacionin verdhejeshil, shprehet se të gjithë duhet të tregohen profesionistë, duke dhanë maksimumin në stërvitje, në mënyrë që në Gjirokastër të luajnë sa më mirë dhe pse jo të marrin edhe pikë: “Lushnja tashmë është ekipi i parë i Superligës, që ka rënë në Kategorinë e Parë. Ndoshta bëj gabim që shprehem kështu, derisa matematika nuk e ka dhënë verdiktin e saj përfundimtar, por jam me këmbë në tokë. Natyrisht, si futbollist i Lushnjës, më vjen keq për këtë rënie të parakohshme nga kategoria, por janë shumë faktorë që na çuan në këtë gjendje dhe që nuk më takon mua t’i shpreh. Jam futbollist profesionist dhe detyra ime, por dhe e kolegëve, është që të japim maksimumin në çdo seancë stërvitore për të marrë maksimumin në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Në fundjavë shkojmë në Gjirokastër dhe nuk duhet ta luajmë këtë ndeshje me psikologjinë e një ekipi pa objektiv dhe pa motivim. Përkundrazi, duhet të luftojmë fort për të marrë pikë dhe për dinjitetin tonë. S’kemi pse të tolerojmë asnjë kundërshtar, pasi fakti që jemi në këtë gjendje është se nuk na ka toleruar asnjë ekip. Luftëtari dhe çdo kundërshtar i Lushnjës duhet të djersijë fort për të na mposhtu. Duhet të bëjmë lojë të ndershme deri në fund”, – ka theksuar mesfushori Branica.

GJYLA – Për ardhjen në stol të trajnerit Ilir Gjyla, futbollisti peqinase ka thënë: “Jemi futbollistë dhe nuk na takon të merremi me emrat e trajnerëve që ikin dhe vijnë. Ilir Gjyla është trajneri i tretë që e drejton Lushnjën në këtë sezon futbollistik. Natyrisht, ai ka ardhur në një moment jo të mirë, duke e gjetur Lushnjën në pozita të vështira. Mund të them se çdo trajner i ri, kur merr një ekip, përcjell një frymë pozitive motivimi për futbollistët. Trajneri ynë do të dijë të marrë maksimumin tonë deri në fund të kampionatit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *