Brahja: E prisja kështu Laçin, Kukësi më i avantazhuar sot

Ish-mbrojtësi: Uroj të fitojë më i miri, për Skënderbeun do më vinte keq nëse do të dënohej, si për këdo skuadër tjetër shqiptare

Jurgen Zela

Julian Brahja prej kohësh ushtron detyrën e zëvendëstrajnerit te skuadra e Dinamos. Me një eksperiencë të madhe si futbollist, laçiani tani synon që të bëjë hapa të njëjtë dhe në botën e trajningut. Në të shkuarën ka qenë pjesë e Kukësit dhe e Laçit, që sot në mesditë do të matin forcat në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Për “Sport Ekspres”, ish-mbrojtësi analizon këtë takim, duke treguar pritshmëritë për këto dy skuadra dhe parashikimin për ndeshjen. Nuk mund të linte jashtë vëmendjes dhe aventurën e tij me Dinamon, por dhe çështjen më të nxehtë të momentit në Shqipëri, dosjes Skënderbeu.
– Brahja, si po shkon aventura juaj me Dinamon? Dy javë para fundit të fazës së dytë, ende në garë për të siguruar një nga 5 vendet e para
– Urojmë që të garantojmë pikët që të na mbajnë në gjysmën e parë të klasifikimit që në këtë ndeshje. Është e rëndësishme që të qëndrojmë në gjysmën e sipërme të tabelës për këtë edicion, më pas të presim për sezonin e ardhshëm. Pësuam dy humbje, pas një ecurie prej 8 ndeshjesh pa u mundur. Është ndryshe të jesh në gjysmën e dytë dhe ndryshe të jemi në pjesën e sipërme, ku nuk ka shumë presion. Klubi ka investuar dhe ka afruar disa lojtarë të rinj dhe disa lojtarë me eksperiencë. Paraqitjet duhen përgëzuar. Edhe tifozët nuk po na i lejojnë që të jenë prezent në ndeshjet në shtëpi. Nuk kemi pasur ndonjëherë probleme.
– Luhet Kukësi-Laçi, keni luajtur me këto dy skuadra. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë sfidë?
– I kam ndjekur me sa kam mundur, normalisht kur nuk kam pasur ndeshje vetë me Dinamon. Kam luajtur si për Laçin, ashtu dhe për Kukësin. Kam kaluar mirë te të dyja këto skuadra.
– Kë shihni si favorite?
– Duke parë momentet ku ndodhen skuadrat, parashikoj një ndeshje të fortë. Të dyja skuadrat do të luftojnë për të marrë maksimumin, sidomos Kukësi, që në fushën e tij nuk ka bërë dhe aq mirë. Mos të harrojmë që ka humbur me shumë skuadra, pa ju humbur meritën aspak. Laçi po ashtu do të bëjë maksimumin për të marrë pikë. Edhe një pikë besoj do të jetë mirë për ta. Kukësi ka mjaft mungesa në këtë takim.
– E prisnit që Laçi të ishte në këtë nivel këtë sezon?
– E kisha pritur këtë performancë të Laçit. Ka një filozofi që e ndërton skuadrën me elementë të rinj dhe me lojtarë me eksperiencë. Ka vite që e bën diçka të tillë. Laçi është një skuadër stabël në Superiore, ka krijuar imunitetin e tij dhe nuk ka rrezikuar asnjëherë shumë. E pamë dhe vjet diçka të tillë. E prisja që të ishte një skuadër e fortë dhe konkurruese, duke njohur dhe presidentin Laska, i cili jep më të mirën për skuadrën e tij. Edhe trajneri po ashtu besoj është një zgjedhje e duhur. E njoh personalisht dhe do të japë më të mirën e tij. Besoj se janë bashkuar shumë gjëra bashkë.
– Sa i përket objektivave, ku i shihni këto dy skuadra?
– Kukësi e ka të vështirë për titull. Besoj se dhe një vend në Kupat e Europës do ishte i kënaqshëm. Kjo ndeshje deri diku është për Europën. Një fitore e Kukësit do bënte të shkëputej disi, por diferencat janë shumë të vogla, si me Kukësin e Laçin, ashtu dhe me skuadrat e tjera. Kanë qenë gjithnjë ndeshje të luftuara. Uroj që të jetë një ndeshje e drejtë dhe të fitojë më i miri. Kukësin e shoh më të avantazhuar. Do e vlerësojë maksimalisht për të mos gabuar më në Kukës.
– Flitet për një dënim të mundshëm për Skënderbeun, keni një koment në lidhje me këtë çështje?
– Nuk jam unë ai që më takon që të flas për këtë çështje. Nuk dua t’i futem asaj teme, por do më vinte keq që të dënohej Skënderbeu, pasi do të dënohej i gjithë futbolli shqiptar në radhë të parë, jo vetëm një skuadër. Nuk dua që të dënohet asnjë skuadër shqiptare. Besoj do të ishte një goditje shumë e rëndë dhe tragjike për futbollin tonë nëse do të ndodhte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *