“Braçe, ndaloje prishjen e stadiumit nga familja juaj politike”! Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë reagon për Kamzën

0

Për të ndërtuar është e vështirë, por të shkatërruar mjafton një fraksion sekondi. Kështu pritet të shuhet edhe stadiumi i Kamzës, me një firmë të vetme për ta kthyer në parking makinash. Pra gjithë historia e kësaj skuadre dhe lojtarëve që kanë luajtur, do të merret peng për një shesh-pushim makinash. Pikërisht për këtë arsye ka reaguar edhe Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë që kërkon një reagim nga zëvendës kryeministri Erion Braçe, si një dashamirës i futbollit, për të ndaluar prishjen e stadiumit nga familja e tij politike.

Reagim i plotë

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë po ndjek me shqetësim lajmin e percjellë nga mediat sportive për prishjen e stadiumit të Kamzës.

Në këto momente Sindikata është në krahun e opinionit sportiv dhe atij futbollistik të Kamzës të cilët janë shprehur kundër prishjes së stadiumit, shtëpisë së futbollit në Kamëz.

Sot i kërkojmë FSHF që të jetë në krahun e futbollistëve dhe të bëjë të gjithë përpjekjet që qeveria ose bashkia Kamëz të anullojë këtë projekt tejet të dyshimtë.

Sot i kërkojmë shumë miqësisht z.Brace futbolldashës, që në cilësinë e zv.kryeministrit të vërë në punë të gjithë mekanizmat ligjit për të ndalur prishjen e stadiumit të Kamzës.

I nderuar z. Brace, ndaloni anëtarët e familjes tuaj politike që kërkojnë të prishin stadiumin e Kamzës.

Këto persona po veprojnë kundër programit politik të partisë tuaj që promovon sportin duke shtuar orët mësimore në shkolla.

Këto persona po veprojnë në menyrë të kundërt me mënyrën si vepron qeveria juaj , e cila siç keni thënë edhe ju, ndërton stadiume dhe nuk i prish ato.

Të nderuar zotërinj të Bashkisë së Kamzës, stadiumi i Kamzës është shtëpia e futbollit të Kamzës në të cilën janë rritur me dhjetra breza futbollistësh. Kjo shtëpi futbolli është shumë më e vjetër se shtëpitë e atyre që kanë marrë vendimin për prishjen e saj. Duke prishur stadiumin ju keni dënuar me “vdekje” futbollin e një komuniteti prej rreth 130 000 banorësh në Kamëz.

Futbolli në Shqiperi po kalon një moment shumë të veshtirë, ku “zotat” e futbollit duhet të bëjnë më të mirën për futbollin që kjo situatë të kujtohet nga komuniteti i futbollit si futbolli në periudhën e pandemisë dhe jo si futbolli në periudhën e poshtërsisë.

Besojmë se personat përgjegjës do ti kthehen arsyes duke anuluar vendimin për prishjen e stadiumit të Kamzës.

Në përfundim duam të shprehim edhe një falenderim për mediat sportive të cilat bënë publike këtë rast duke qenë në këtë mënyrë rojtare të së mirës publike.

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.