Braçe: Arbitri Koçi, i punësuar në biznesin e zyrtarit të FSHF-së

Një çakmak ndezi një zjarr akuzash mes FSHF-së dhe Erjon Braçes, pasi deputeti jo vetëm që reagoi ndaj intervistave (që nuk lejohen me rregullore) të arbitrit Andi Koçi, por pasi është denoncuar nga FSHF-ja, ka një përgjigje edhe për këtë të fundit, duke e akuzuar se mban nën kontroll të plotë arbitrat jo thjesht me pagat për gjykimin e ndeshjeve, por edhe për lidhje të fshehta e punësim paralel në biznese të lidhura me Federatën.

Kështu, deputeti i Partisë Socialiste në faqen e vet në Facebook evidenton faktin që Andi Koçi rezulton llogaritar në një akademi futbolli që drejtohet nga një zyrtar i FSHF-së, që e ushtron aktivitetin në pronën e FSHF-së.

SHIHNI ÇFARË TURPI! ANDI KOÇI, LLOGARITAR NË BIZNESIN E NJË PREJ ZYRTARËVE TË FSHF NË PRONËN E FSHF! JA SISTEMI KRIMINAL I ARMAND DUKËS!

Kam pasur gjithnjë interes të di se çfarë bëjnë në jetën tjetër, atë përtej arbitrimit, gjyqtarët që arbitrojnë garat e Superligës, punë e cila i ka bërë kaq pa integritet, dinjitet, të përdorur deri në shkatërrim të një gare, paracaktim të saj. Kurrë nuk jam marrë të mësoj për këtë; mbase inati ka dalë të nesërmen dhe kam harruar. Por Andi Koçi me shtyu të mos harroj këtë herë. Në vitin 2013, FSHF, biznesi personal i Armand Dukës, i ka dhënë në përdorim njërit prej nëpunësve të saj, atë kohë me rrogë tani e ka të kontraktuar, kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamzë. Ai e ka edhe sot për një qellim të mirë mbase, Akademi Futbolli, por me pagesë për fëmijët e të rinjtë dhe qira për FSHF. Andi Koçi, gjyqtar në garat e futbollit të organizuara nga po e njëjta FSHF është llogaritar i këtij “biznesi jofitimprurës”. M’u deshën pak minuta të mëngjesit të sotëm për të më- suar këtë fakt! Provat i kam unë! E kuptoni? FSHF, biznes personal i Armand Dukës, merr para nga UEFA dhe ndërton kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare, ia jep me qira njërit prej punonjësve të saj atëkohë e aktualisht dhe ky merr llogaritar në këtë “biznes jo fitimprurës” Andi Koçin, gjyqtarin që duhet të jetë tërësisht i paanshëm dhe i pandikueshëm në gjykimet e tij të garave nga FSHF! A ka më skandal se kaq?!

Urdhëroni e më thoni! Ky njeri që paguhet në këtë mënyrë nga një prej zyrtarëve të FSHF-së, a mund të jetë jashtë ndikimit të saj në gjykim? Ndikim them unë, urdhërim është troç! E kuptoni se nga vijnë gabimet e Andi Koçit sipas atij planit të hartuar nga Armand Duka, ekzekutuar nga Ilir Shulku e sipas të cilit dihet kampioni, vendi i dytë, i tretë, kush bie nga Superliga, kush fiton Kupën e Shqipërisë?! E kanë të punësuar këta, Duka dhe nëpunësit e tij, i kanë rrogën në dorë këta, e kushtëzojnë këta! Ky është Sistemi! Është kriminal sa s’ka ku të shkojë më! Andi Koçi shkruante sot (dje) se nuk e kuptonte ç’lloj njeriu isha unë! Natyrisht, do ishte fyerje për mua të më kuptojë ky, një arbitër pjesë e një sistemi kriminal që paravendos garat, tallet me djersën e futbollistëve në fushë, pasionin e njerëzve në stadium, miliona të tjerëve para ekranit, thjesht dhe vetëm sepse paguhet në jetën tjetër, atë përtej arbitrimit, po nga zyrtarët e FSHF-së! Ky sistem kriminal duhet shkatërruar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *