Botërori i Katarit në dimër, FIFA zyrtarizon datat

0

Kupa e Botës 2022 do të luhet në fund të vitit, një risi që do të duhet kohë derisa të asimilohet e të pranohet nga tifozët e klubet.

Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino ka lajmëruar sot se Botërori i 2022, që do të zhvillohet në Katar, do të mbahet në datat 21 nëntor deri më 18 dhjetor.

Një çudi që do të futë në kaos kampionatet, edhe pse Infantino sqaron: “Ligat anembanë botës janë informuar tashmë dhe do të kenë kohë të përshtaten”.

Kjo do të thotë se kampionatet që luajnë me sistemin vjeshtë-pranverë, si Seria A italiane, La Liga, etj, do të detyrohen të nisin shumë herë, që në korrik ndoshta, duke u ndalur në fund të tetorit, pasi të gjithë lojtarët do të bashkohen me kombëtaret përkatëse për më shumë se një muaj e gjysmë.

Kampionatet kryesore do të detyrohen të qëndrojnë pushim deri në fund të Kupës së Botës, që do të thotë se do të rinisin vetëm në fund të dhjetorit, apo në janar.

Për kampionatet si Seria A, me 20 ekipe, ngjeshja e kalendarit do të jetë e frikshme dhe nëse merren parasysh edhe kupat e Europës, nuk dihet si UEFA dhe FIFA e kanë menduar të gjejnë data të lira.

Ndërkaq, Infantino ka folur nga Rusia, në konferencën përmbyllëse të Kupës së Botës dhe ndër të tjera tha: “Ky Botëror ishte më i miri i zhvilluar ndonjëherë, përgëzime Rusisë për organizimin perfekt, tani të gjithë kanë ndryshuar perceptim për Rusinë dhe rusët. VAR? Më në fund nuk ka më gola në pozicion jashtë loje”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.