Botërori 2018, Kolina: Vendimet e Var, 99,3 për qind të sakta

Bilanc pozitiv për sistemin Var në 48 ndeshjet e para të Botërorit në Rusi. Sipas argumentit të dhënë nga Pierluxhi Kolina, presidenti i Komisionit të Arbitrave pranë FIFA-s “vendimet kanë qenë të sakta në 99,3 për qind të rasteve”.

Në konferencën për shtyp, ku bëri bilancin e teknologjisë në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit botëror, Kolina deklaroi: “Me ndihmën teknologjisë arbitrat kanë marrë kryesisht vendime të sakta gjatë fazës së grupeve, por duhet nënvijëzuar se Var nuk është sinonim i perfeksionit”.

Ai shtoi: “Mund të ketë disa gabime dhe gjithsesi fjalën kryesore në marrjen e vendimeve gjatë lojës e kanë arbitrat. Nëse përjashtohen ndërhyrjet me përdorimin e teknologjisë, vendimet e arbitrave kanë qenë të sakta në 95 për qind të rasteve”.

Kolina u shpreh i befasuar nga kritikat rreth disa rasteve, ku arbitrat nuk e kanë vlerësuar të udhës që të konsultohen me sistemin Var, ndërsa shpjegoi edhe rastin specifik të ndeshjes Argjentinë-Nigeri, ku pasi pa në monitor imazhet dhe u konsultua me asistentët, gjyqtari i ndeshjes nuk akordoi 11-metërsh në favor të ekipit afrikan, për prekje të topit me dorë në zonë.

“Nuk është e mundur që në argumentimin e tij për vendimin e marrë arbitri të ketë thënë ‘nuk e di’. Përkundrazi, atë vendim u’a sqaroi lojtarëve në fushë, duke u thënë se topi preku fillimisht kokën dhe më pas dorën. Nuk mund të dyshohet te inteligjenca e këtyre arbitrave, të cilët janë më të mirët në botë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *