Bosi i Steauas e do me çdo kusht, Qaka: Nuk më tremb presioni!

Kamer Qaka është një nga lojtarët e momentit në Rumani. Mesfushori i kombëtares sonë ka zhvilluar një pjesë të parë sezonale të shkëlqyer te Poli Iashi dhe tashmë e duan në Rumani e jashtë saj. Presidenti i Steauas, Xhixhi Bekali, një personazh kontrovers dhe që ngjall shumë debate, ka deklaruar se e do me çdo kusht në ekip Qakën, pasi ka rënë në dashuri me stilin e tij të lojës.

Për 22-vjeçarin interesimi është i përditshëm edhe nga mediat rumune dhe Fanatik.ro ka publikuar një intervistë me mesfushorin tonë, duke e pyetur për gjithçka, nga Steaua, te jeta në Rumani.

JETA TE IASHI – “E shkëlqyer, jam përshtatur shumë shpejt, kam zënë miq të rinj dhe jemi si një familje, duke kaluar shumë kohë së bashkuar. Më kanë ndihmuar shumë, edhe kur nuk isha në maksimumin e formës fizike në fillim, kur erdha në Rumani”.

KALIMI NË RUMANI – “Një ditë, një agjent erdhi tek unë dhe më pyeti: ‘Çfarë do të thoshit nëse do ju thosha të vinit në Rumani? Shiko, unë kam një ekip për ju’. I thashë, ‘Sigurisht, pse jo?’. Doja një sfidë të re, të largohesha nga Norvegjia dhe të shihja vende të tjera. Natyrisht, nuk kisha dëgjuar për Poli Iashin, vetëm për Steauan dhe për Kluzhin. Si? I kam parë në ndeshjet e grupeve të Champions. Kam parë ndeshjet e tyre dhe më ka pëlqyer futbolli që luanin. Për pjesën tjetër të klubeve nuk kisha dëgjuar. Edhe Dinamon e njoha kur erdha këtu”.

NGA NORVEGJIA NË RUMANI – “Ka gjëra që bien në sy. Në Norvegji janë të çmendur pas dueleve fizike, e vënë theksin te futbolli atletik. Në Rumani luhet më shumë futboll, si të thuash. Unë jam lojtar teknik, më pëlqen ta kem topin, të pasoj. Besoj e kupton se më pëlqen më shumë këtu”.

JETA JASHTË FUSHE – “Më pëlqen shumë Iashi. Është bukur, njerëzit janë jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të qetë. Dhe ajo që më pëlqen më shumë, është vend i lirë në aspektin e parave! Jashtëzakonisht i lirë! Unë vij nga Norvegjia dhe atje është shumë e shtrenjtë në krahasim me këtu. Mund të dalësh në qytet, të darkosh dhe të zbavitesh, me pak fjalë. Diçka që nuk më pëlqen? Unë kam qen në shtëpi dhe i dua shumë kafshët. Këtu kam parë shumë qen endacakë në rrugë. Kjo më bën të trishtohem, sa herë shoh qen rrugësh”.

PARAQITJET E MIRA – “Jam i kënaqur. Ekipi më ka ndihmuar shumë, trajneri më ka lënë dorë të lirë në fushë dhe mund të bëj çfarë unë dua dhe besoj në vetvete”.

XHIXHI BEKALI E KËRKON ME ÇDO KUSHT – “Kam dëgjuar për interesimin e tyre dhe më është bërë shumë qejfi për këtë. Është një klub i madh dhe kjo më kënaq, kaq mund të them për momentin. Të shohim çdo të ndodhë. Jam i gëzuar që jam te Iashi tani. E di që ka presion të madh te Steaua, por nuk kam frikë. Mund të përballoj çdo lloj presioni, edhe atë te Steauas. Unë nuk e kam problem çfarë të tjerët thonë për mua, shoh punën time në çdo lloj rrethane.

LOJTARI QË E KA BEFASUAR NË RUMANI: “Një i vogël, nga Krajova, sulmuesi… Si quhet ai? Baluca? Po ai. Është shumë i shpejtë dhe teknik, Gjithashtu finalizon shumë mirë. Edhe kolegu im, Katalin Stefanesku. Idhulli im është Marko Verrati. Ai ka gjithçka, teknikë, forcë dhe vizion në lojë. Synimet në kampionat? Do të provojmë të shkojmë në play-off”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *