Borxhet: Ultimatum Flamurtarit, Korabit i hiqen tre pikët

Në një vend normal me kohë duhet të ishin marrë masa, por sigurisht që Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit nuk është si Diego Simeone dhe Kristiano Ronaldo. Për t’i treguar k****, si fillim duhet t’i kesh. Disiplina nuk ka, madje është edhe qorre.

E tregojnë vendimet që marrin javë pas jave, përzgjedhja e neneve sipas oreksit. Sot u dënua Tirana me katër ndeshje. Rregullorja thotë që minimumi bardhebluve u duhej mbyllur stadiumi për tetë ndeshje. Sigurisht kjo nuk është diçka e mirë, pasi për shkak të një personi që godet arbitrin dënohet një komunitet i tërë.

Neni sipas të cilit u dënua Tirana

Tirana e meriton dhe nuk e meriton atë dënim. E meriton sepse në asnjë moment nuk e dënoi atë që ndodhi me Nertil Bregasin, por vetëm u ankua dhe u viktimizua. Pse nuk e meriton? Sepse Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë as nuk denjoi t’i dilte në mbështetje anësorit të trullosur nga një shishe pas kokës.

Neni sipas të cilit duhej dënuar Tirana

Ah po, po Flamurtari e Korabi ç’hyjnë në gjithë këto që shkruajmë?  1 prilli. Në një ditë si kjo Komisioni i Disiplinës ka pasur mundësinë të gënjejë, sepse për të zbatuar rregulloret në realitet as që ka ndërmend. Sot mund të na gënjenin duke nxjerrë mes shumë vendimeve edhe ato që shkruajmë në titull.

Arsid Kruja dhe Yll Hoxha prej kohësh kanë kërkuar zbatimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve. Flamurtari u detyrohet 16 dhe 11 mijë euro dy futbollistëve dhe duke qenë së ata kanë bërë kërkesat e tyre për zbatimin e vendimeve, do duhej dhënë ultimatumi prej 30 ditësh që kuqezinjtë të shlyenin borxhin ndaj futbollistëve.

1 prilli ishte dita e duhur për ta bërë diçka të tillë, pasi ditë tjetër nuk ka shanse që Disiplina ta japë ultimatumin sipas rregullores. Do thoni po e dha, çfarë ndodh? Asgjë, telenovelë e re si ajo e Gjergji Muzakës, që për pak desh ia kaloi edhe “100 vitrinave” të famshme. Po me Korabin ç’patëm?

Disiplina, më 20 shtator 2018 i dha 30 ditë afat dibranëve për të shlyer mbrojtësin Emiljano Çela. Afati ka kaluar, asnjë qindarkë për kapitenin e Kastriotit. Sot, me 1 prill, ndoshta duhet të kujtohej Disiplina. Nga nesër, sigurisht që as do t’i bjerë në mend.

Ultimatumi i Disiplinës, vendim i 20 shtatorit 2018

Klubet, që shohin se si rregullorja shkelet, sërish nuk do reagojnë: “Një ditë mund të kemi edhe ne të njëjtin hall, më mirë të heshtim”. Për një faull të një arbitri, apo për 30 sekonda shtesë më shumë, klubet çirren. Ndaj Disiplinës ka vetëm… përulje. Edhe ai komisionin arbitrar është, e prish garën. Në djall gara, kujt i duhet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *