Bonuçi: Synimi im, kampion Europe brenda 4 vitesh

Leonardo Bonuçi te Milani, një ndër transferimet më të bujshme të verës 2017, kryer për vetëm 42 milionë euro, shumë pak, duke parë si funksionon tregu aktual. Nga pikë kyçe e mbrojtjes së Juves, Bonuçi ka zgjedhur Milanin, ku tashmë do të jetë kapiten dhe lideri i ri i një skuadre të rindërtuar dhe shumë të uritur.

Të dielën Juventusi humbi Superkupën ndaj Lacios dhe Bonuçi, duke folur për La Gazzetta dello Sport, rrëfen ndjesinë e të mos qenit në fushë me fanellën bardhezi: “Në fakt, më dukej e çuditshme ta shihja Juven në televizion, por tashmë ajo është e shkuara. E tashmja dhe e ardhmja ime quhet Milan”.

Kalimi nga Juventusi te Milani nuk është kurrë i lehtë, por Bonuçi është pritur shumë mirë nga tifozët dhe gjithë ambienti: “Besoja se do ekzistonte pak skepticizëm kundrejt meje. Ky entuziazëm më shtyn të jap edhe më shumë. Po pres me padurim të debutoj në San Siro. E pranoj që jam pak i emocionuar: San Siro është historia dhe ditën e ndeshjes në Europa League, edhe pse nuk luaja, ishte një ndër rastet e pakta kur u emocionova duke hyrë në një stadium. Do të më pëlqente të rishihja të njëjtin numër tifozësh çdo ndeshje”.

Tashmë Bonuçi është kapiten dhe ka një rol mjaft të rëndësishëm në grupin kuqezi: “Është një përgjegjësi shumë e rëndësishme, do të jap gjithçka për të mbrojtur këtë fanellë nga minuta e parë deri në të fundit, në çdo ndeshje. Mund të vendos në dispozicion karizmën dhe eksperiencën time, por është skuadra që të bën të tillë. Kam fatin të kem mësuar nga liderë të mëdhenj si Bufon, Del Piero e Kielini. Përsa i përket restos, sekreti është të bërit grup në gjërat e vogla, në detaje. Milani meriton të kthehet lart dhe kjo është ajo që na ka kërkuar klubi”.

Qendërmbrojtësi i kombëtares italiane tregon zgjedhjen e largimit nga Juventusi dhe pse zgjodhi Milanin, kur kishte shumë oferta, edhe nga jashtë: “Sepse ishte projekti më ambicioz. Unë jetoj për sfida të mëdha dhe Fasone e Mirabeli më bënë të ndihesha i rëndësishëm dhe më dëshironin me çdo kusht, përndryshe tratativa nuk do të zgjaste vetëm 48 orë. Nga ana tjetër, dashuritë ose lindin menjëherë, ose nuk lindin kurrë. Nuk është një çështje parash: kush më quan mercenar, i përgjigjem që kisha oferta edhe nga jashtë, ku mund të fitoja më shumë. Zanafilla e krisjes? Gjithçka nisi në Oporto, por edhe më parë kishte pasur episode të vogla jo të këndshme. Tani dua të bëj te Milani atë që bëri Pirlo, i cili ka kuqezinjtë dhe u bë lideri i Juves”.

Milani po përpiqet të kthehet në majën e futbollit italian dhe atij evropian, pak a shumë si Juventusi kur zbriti në Serinë B: “E saktë, ka shumë ngjashmëri. E zgjodha Milanin edhe për faktin se në kokën time është ideja e përsëritjes së atij rrugëtimi në bardhezi, ku e nisëm nga e para si tani dhe mbërritëm në majë. Ja, ky është objektivi im, duka të shkoj edhe më lart se aq. Brenda 4 vitesh shpresoj të fitojë Champions League, dua të fitoj gjithçka të mundshme”.

Milanit i duhet ende një sulmues cilësor dhe vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes Beloti e Obamejang, por Bonuçi flet vetëm për italianin: “Beloti është një futbollist shumë punëtor, që tërheq skuadrën përpara. Nuk e di a do të vijë ai, por kushdo që të vijë, duhet të vihet në dispozicion për të dyja fazat. Një sulmues i nivelit të lartë të lehtëson në shumë drejtime, do të ishte mbyllja perfekte e një merkatoje stimuluese dhe entuziazmuese”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *