Bonuçi: Ronaldo një makineri, ja çfarë vlerësoj tek ai!

0

Leonardo Bonuçi u rikthye me gol në ndeshjen përballë Frozinones dhe tani është gati për duelin kundër Atletikos së Madridit. Sfida e parë do të zhvillohet të mërkurën në Spanjë dhe bardhezinjtë duan të hedhin një hap drejt kualifikimit.

Mbrojtësi ka dhënë një prononcim për spanjollen “AS”, aty ku ndalet te Kristiano Ronaldo. Portugezi e ka mahnitur dhe Bonuçi beson fort se me të në ekip Juventusi i ka të gjitha mundësitë për të fituar Champions Ligën. Ky është objektivi madhor dhe 31-vjeçari nuk ka ndërmend të fshihet.

Në fund dhe një koment për dy nga talentët më të mëdhenj të futbollit italian: Zaniolo i Romës dhe Kieza i Fiorentinës. I pari ishte një surprizë e bukur, ndërsa i dyti është përmirësuar shumë kohët e fundit.

CR7 – “Kristiano Ronaldo është një makineri, më i miri në botë. Kur vjen një lojtar si ai, do të thotë që niveli i ekipit është rritur. E vlerësoj shumë qëndrueshmërinë dhe thjeshtësinë e Kristianos. Sapo mbërriti u vu menjëherë në dispozicion të grupit dhe gjen gjithmonë fjalë mbështetëse për shokët e ekipit. Kam mbetur i befasuar nga mënyra e tij e punës: çdo ditë, para dhe pas stërvitjeve, e gjen në palestër. E bëj dhe unë diçka të tillë, por ka raste kur nuk ia del dot ta bësh gjithmonë. Ai është një makineri dhe nuk ndalon kurrë. Atë thjesht mund ta admirosh. Meritonte ‘Topin e Artë’, por jam i sigurt që kjo do të jetë nxitje për ta fituar këtë vit. Objektivi ynë? Fitimi i Champions Ligës dhe nuk duhet e nuk mund t’i fshihemi kësaj.”

TALENTËT ITALIANË – “Kur Mançini grumbulloi në kombëtare Zaniolon, filluam të pyesnim njëri-tjetrin se kush është ky. Megjithatë, i mjaftuan pak seanca stërvitore për të treguar diçka. Talenti i tij po lulëzon. Sa i përket Kiezës, Federiko e ka kuptuar se ku duhet të përmirësohet. Tani është më pak egoist, kërkon më shumë portën dhe shënimin e golit”, ka deklaruar Bonuçi.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.