Bonuçi: Çfarë vuajtje pa kupë bote, njollë që nuk fshihet kurrë!

0

Italia do të përballet sonte në mbrëmje me Portugalinë në “San Siro” për Ligën e Kombeve. Djemtë e Mançinit janë të uritur për të treguar se janë të denjë për kombëtaren dhe objektivi i tyre është fitorja përballë luzitanëve.

Leonardo Bonuçi ka folur për “Eleven Sports”, duke iu rikthyer dhe njëherë mungesës së Italisë në Botërorin e Rusisë. Një periudhë e errët dhe e dhimbshme, gjatë së cilës mbrojtësi i Juventusit shikoi vetëm dy ndeshje.

31-vjeçari ndalet dhe te miqësorja e së martës kundër SHBA, duke shpjeguar se pse një fitore në këtë takim është aq shumë e rëndësishme për tifozët e kaltër.

RINISJA – “Do të ishte e bukur të ishim në Botëror me shumë lojtarë të rinj gati për të sjellë entuziazëm me vete në valixhet e tyre. Tani është e kotë të merremi me të kaluarën, e rëndësishme është të rinisemi, siç kemi bërë në fushën e blertë me Mançinin. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe jashtë fushe, shpresojmë që presidenti Gravina të bëjë një hap të madh në këtë aspekt.”

BOTËRORI – “E kam përjetuar keq mungesën në Rusi, është një njollë që nuk do të fshihet kurrë nga karriera e një futbollisti. Të mos marrësh pjesë në Botëror për Italinë është me të vërtetë diçka katastrofike. Në muajt qershor dhe korrik mezi pashë dy ndeshje. E di se çfarë të transmeton kupa e botës, ku ke luajtur dy herë, e di se çfarë të transmeton një kompeticion, ku ke luajtur 4-5 herë.”

SHBA – “Do të jetë një atmosferë e bukur, është gjithmonë e veçantë të luash jashtë dhe të gjesh shumë bashkatdhetarë, të cilët mezi presin për të na parë. Shpresoj të ndihmoj kombëtaren të fitojë dhe t’ia dedikojmë atyre, të cilët jetojnë jashtë shtetit dhe nuk presin gjë tjetër përveç këtyre momenteve për të rishikuar magjinë e bluzës së kaltër.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.