“Bomba” e Tiranës, trajneri i ri do të jetë braziliani Ze Maria

E mbani mend brazilianin Hozé Marselo Ferreira, i njohur nga të gjithë si Ze Maria? Ata që kanë ndjekur Serinë A në vitet ’90 e 2000 natyrisht që po. Mbrojtësi i kombëtares së Brazilit shkëlqeu te Parma e Peruxhia, por luajti edhe tek Interi.

Prej vitit 2010 Ze Maria nisi karrierën e trajnerit dhe pas disa eksperiencash në Itali, në vitin 2015 drejtoi Çealaulin në Rumani dhe prej marsit 2016 deri dje drejtoi Gor Mahian, klubi me më shumë tituj kampionë në Kenia. Dje Ze Maria dha dorëheqjen, duke e lënë skuadrën në krye të renditjes, me 27 pikë në 13 ndeshje.

Ze Maria paguhej 4500 dollarë në muaj, por kishte edhe bonuse, si dhe 1500 dollarë pagesë për banesën ku jetonte. Largimi i tij ka rënë si bombë Gor Mahia, që ka përgënjeshtruar prerë spekulimet për probleme financiare dhe paga të prapambetura ndaj trajnerit brazilian.

Tani Ze Maria pritet te Tirana, që i ka bërë një ofertë zyrtare dhe ka arritur marrëveshjen në parim.

Lajmi konfirmohet nga Supersporti, me klubin bardheblu që e pret brazilianin ditët e ardhshme, për ta drejtuar Tiranën në Europa League.

Kjo lëvizje është mundësuar nga menaxheri Hektor Çomo, i cili bashkëpunon prej vitesh me Tiranën, duke qenë një ndër menaxherët që njeh mjaft mirë tregun e futbollit afrikan, ndërsa ka sjellë te Tirana shumë futbollistë afrikanë.

Për Tiranën është një goditje e madhe, të paktën në aspektin e imazhit, pasi Ze Maria është një personazh shumë i njohur dhe mund të ndikojë për mirë edhe në merkato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *