Boll me premtime boshe, përvishni mëngët, atë bëni!

Pas humbjes me Kosovën, ku u turpëruam duke pësuar tre gola, sigurisht, kryefjala e ditëve, në grumbullimin kuqezi në Zvicër ishte “reagim ndaj Ukrainës”. Nga trajneri te futbollistët, të gjithë të bindur se diçka ndryshe do të sillnin ndaj ekipit të Shevçenkos dhe se sipas trajnerit “në sytë e lojtarëve kam parë dëshirën për të reaguar”. Por, të jesh i bindur nuk do të thotë te jesh i sigurt për diçka që do të ndodhë, sidomos nëse në fushë zbret sikur po luan një ndeshje në plazh dhe që e di se më pas do të futesh në det për t’u freskuar apo do të shtrihesh në shazllon.

“Duhet të harrojmë Kosovën, tani duhet kthesa ndaj Ukrainës. Do të tregojmë veten!”… “Nuk do të përsëritet Kosova, pashë te sytë e djemve motivimin për të ndryshuar”… Trajneri ishte i sigurt te ajo që po thoshte, por ndoshta shpeshherë, më mirë të heshtësh, më mirë të përveshësh mëngët dhe të punosh se sa të premtosh, deklarosh dhe të shfaqësh bindje.
Sepse, në fund, janë tifozët ata që kanë të gjithë të drejtën e botës për të kontestuar, ashtu sikurse edhe ndodhi. Lojtarët, që kanë fituar të drejtën të na përfaqësojnë, në një mënyrë apo tjetër, duhet të ulin kokën dhe të bëjnë autokritikë. Sepse, ajo fanellë që mbajnë veshur nuk është fanella e ndonjë skuadre lagjesh, por e kombit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *