Boksi në zi, ndahet nga jeta Karl Mildenberger: i famshëm për duelin me Muhamed Ali

0

Për shumë kohë ka qenë kampion i Europës në peshat e rënda. Është përballur me emra të mëdhenj të ringut botëror, mes të cilëve Arçi Mur. Legjenda e boksit gjerman, Karl Mildenberger, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare. Ai do të mbetet në histori për sfidën epike kundër Muhamed Ali në stadiumin e Frankfurtit.

Në duelin e 10 shtatorit 1966, Ali që në atë periudhë ishte ende i pamposhtur, ishte favorit absolut për të fituar. Ekspertët parashikonin se rivali gjerman nuk do të rezistonte më tepër se tre raunde në ring. Por, pavarësisht forcës së rivalit dhe faktit që kishte pësuar një dëmtim serioz në syrin e majtë, Mildenberger rezistoi.

Boksieri gjerman arriti të ringrihej tre herë në këmbë, përpara se gjyqtari të vendoste ta mbyllte duelin në raundin e 12-të. Mildenberger ka zhvilluar 62 duele në boksin profesionist, duke fituar në 53 raste, ka barazuar tre ndeshje ndërsa ka pësuar edhe gjashtë humbje.

Ai u tërhoq nga ringu në vitin 1968, kur ishte ende 31-vjeçar. Vendimi erdhi menjëherë pas humbi titullin e kampionit të Europës përballë britanikut Henri Kuper. Federata Gjermane e Boksit Profesionist (BDB), e ka kujtuar në këtë mënyrë: “Një legjendë u nda nga jeta. Dueli kundër Muhamed Ali i siguroi një vend në historinë e boksit botëror”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.