Bogdani dhe miqësoret e kombëtares U-19: Provoj grupin e eliminatoreve  

0

Erjon Bogdani ka prezantuar sot listën me 25 futbollistë që do të luajnë dy miqësore kundër Gjeorgjisë më 30 gusht dhe 1 shtator në Fier.

Dy miqësoret ndaj Gjeorgjisë do t’i shërbejnë trajnerit kuqezi për kualifikueset e muajit tetor, ndaj Bogdani e pranon se grupi i lojtarëve është thuajse përfundimtari: “Shumica e lojtarëve do të jenë edhe në kualifikueset e tetorit dhe unë normalisht pres përgjigje nga futbollistët pasi do të kemi dy ndeshje ndaj një skuadre shumë të mirë. Grupi për eliminatoret do të jetë ky, por mund të ketë edhe ndonjë afrim të ri për fushatën kualifikuese”.

Bogdani vlerëson miqësoret kundër një rivali serioz si Gjeorgjia: “Ekipi vjen pas dy turneve që ka zhvilluar në Itali. Gjeorgjia është një skuadër e mirë, pasi ka marrë pjesë në kampionatin europian të 19-vjecarëve që është zhvilluar pikërisht në Gjeorgji. Janë dy teste shumë të mira për ne, përpara sfidave kualifikueseve”.

Shqipëria bën pjesë në grupin 12 dhe në Tetor do të sfidojë në eliminatoret e Europianit përfaqësuese të tilla si Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia: “Luajmë në Shqipëri, do të kemi mbështetjen e tifozëve dhe objektivi ynë është të marrim më të mirën nga këto 3 ndeshje. Duam të bëjmë një figurë të mirë në eliminatore”.

Bogdani pret përgjigje nga futbollistët në dy miqësoret ndaj Gjeorgjisë, sepse pjesa më e madhe e tyre do të jenë pjesë e grumbullimit për sfidat kualifikuese. Për trajnerin nuk ka dallime shqiptarë nga Shqipëria apo nga Kosova: “Politika dhe sporti janë dy gjëra të ndara. Unë jam trajneri i ekipit kombëtar dhe zgjedh futbollistët më të mirë. Ata që luajnë në klubet e tyre dhe bëjnë paraqitje të mira, sigurisht që do të jenë pjesë ekipit përfaqësues. Mua nuk më intereson politika dhe nuk ka shumë rëndësi nëse lojtarët janë nga Shqipëria apo Kosova”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here