Boateng te Barça? Në internet plas gallata

Barcelona kërkonte një sulmues të aftë të bënte rezervën e luksit, por edhe të mbante nën presion titullarët e sulmit, duke nisur nga Suarez e Dembele, sepse Messi është planet tjetër.

Piatek ishte emri që bënte tifozët të ëndërronin, Stuani e Morata ishin lojtarë plot cilësi dhe të pëlqyer nga tifozët, Karlos Vela nuk ishte aspak keq si rezervë, por Barça merr… Kevin-Prins Boateng!!!

32 vjeç në mars, ganezi lë Sasuolon për Barcelonën dhe tashmë në internet ka plasur gallata, sepse më shumë se merkato, duket një miks “kriminelësh”, me Vidal, Murijo, Suarez e Boateng që do të shërbejnë edhe si bandë për të rrahur kundërshtarët, nëse ka sherr.

Sezonet e fundit Boateng ka qenë fantastik, tek Las Palmas, Frankfurt e Sasuolo këtë sezon, me 20 gola në 72 ndeshje, por është qartësisht një lëvizje boshe, pa asnjë vlerë për të ardhmen, sepse huazimi deri në verë zor se do të kthehet në blerje përfundimtare, për një lojtar që nuk është në kulmin e karrierës, të paktën duke parë moshën e tij.

Në Spanjë kanë mbetur të shtangur, duke e konsideruar blerjen e Boateng një ndër më të çuditshmet në histori (“Kemi ngatërruar vëlla, sërish, pas De Bur, Alkantara e Dos Santos”), ashtu si danezi Gravesen te Reali dhe Paulinjo te Barcelona, ndërsa në Itali ironia nuk ka fund, me batuta të tipit: “Tani nuk mbetet tjetër veçse Barcelona të marrë Montolivon si alternativë për Buskets dhe jemi në rregull”.


https://twitter.com/jmuriedas/status/1087420027593244672

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *