“Blindohet” mbrojtja, Dejan Karan firmos me Tiranën

0

Gjiganti 1.90 cm i gjatë është përforcimi i radhës për bardheblutë në merkaton e verës. 27-vjeçari ka dalë dje në stërvitje, pasi u prezantua me ekipin nga Drejtor Sportiv, Muka

 

Andi TANKU

 

Tirana bën “goditjen” e 9-të në këtë merkato vere, pa marrë parasysh afrimin e Elis Bakajt, i cili pritet të mbërrijë të premten te bardheblutë. Dejan Karan është përforcimi që drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë bërë së fundmi, duke kompletuar repartin e prapavijës. Qendërmbrojtësi 27-vjeçar i lindur në Novi Sad të Serbisë ka mbërritur dje në vendin tonë dhe pasdite është vënë në urdhrat e trajnerit Shkëlqim Muça.

Lajmin e bëri të ditur zyra për shtyp e klubit të Tiranës që konfirmoi njëkohësisht dhe faktin se Karan, para se të niste përgatitjet me bardheblutë është prezantuar me skuadrën dhe stafin teknik nga ana e Drejtorit Sportiv, Devi Muka.

Prej dy muajsh, “gjiganti” 27-vjeçar ka qenë në vëzhgim të drejtuesve të klubit kryeqytetas, ndërsa pas tratativave, dje ka ardhur dhe konkretizimi me sukses i marrëveshjes mes palëve. Dejan Karan ka bindur krerët e Tiranës edhe me “CV”-në e pasur dhe eksperiencën që ka pasur në disa klube evropiane. Së fundmi ai është aktivizuar në kampionatin hungarez me skuadrën e Kecskemet TE, ku në 55 ndeshje ka realizuar edhe një gol.

Dy sezone të kaluar në këtë skuadër, ku ajo që bie në sy është fakti se që nga 2013-ta deri në fund të sezonit të kaluar, qendërmbrojtësi serb ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe ka pasur një rol të rëndësishëm brenda ekipit. Afrimi i Dejan Karan kompleton repartin e mbrojtjes së Tiranës, duke mbyllur kështu me shumë mundësi, merakton për këtë sektor të skuadrës që drejtohet nga trajneri Muça.

Bardheblutë ishin në bisedime edhe me Franc Veliun, por duket se mungesa e gjetjes së një marrëveshjeje brenda një afati të shkurtër kohor ka bërë që drejtuesit e klubit më të titulluar në vend të përshpejtonin në lëvizjet e tyre, duke afruar 27-vjeçarin serb.

Një “goditje” kjo e cila përforcon edhe më shumë kryeqytetasit, të cilët tashmë duken të kompletuar në pothuajse 90%, ndërsa ardhja e Elis Bakajt, duket se do të mbyllë merkaton e verës për Tiranën.

KARAN- “Jam i kënaqur që jam këtu”, kanë qenë fjalët e para të mbrojtësit serb të Tiranës, i cili pohoi pas transferimit se ishte i vetëdijshëm për faktin se:

“Kam ardhur në një klub të madh, me traditë dhe ambicie për të fituar trofe. Kam mësuar nga Ivan Gvozdenoviç që këtu do të gjej klubin ideal për të punuar. Mësova prej tij që tifozët janë të shumtë dhe të zjarrtë, gjë që motivon edhe më shumë për të qenë i suksesshëm në Shqipëri. Mund ta konsideroj veten zyrtarisht të Tiranës, edhe pse firmën në kontratë do ta vendos në ditët në vazhdim.

Kam folur me drejtorin sportiv dhe presidentin dhe kemi rënë dakord për të gjitha. Pasi të kryej edhe analizat mjekësore, do të nënshkruhet marrëveshja. Për sa i përket formës sime fizike, jam në 50 % të mundësive. Pas një ose dy javësh do të jem në maksimum dhe i gatshëm.

Jam i lumtur që jam këtu dhe premtoj të jap më të mirën time për të ndihmuar skuadrën”, u shpreh në deklaratën e parë si bardheblu, Dejan Karan.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.